Rikthehen protestat kundër ndërtimit të hidrocentraleve

Rikthehen protestat kundër ndërtimit të hidrocentraleve

Mjedisorë, dashamirës të natyrës, aktivistë të shoqërisë civile dhe banorë të zonave të prekura nga ndërtimi i hidrocentraleve të shumta në Shqipëri, protestuan sërish sot përpara Kryeministrisë.

Protesta qe thirrur nga shoqatat mjedisore, të cilat po përpiqen të bashkërendojnë me ato të rajonit në kundërshtitë ndaj ngritjes së digave në lumenjt e Ballkanit.

Banorë të fshatrave të Mirëditës si Kaçinari apo Guri i Bardhë, e fshatrave të Lurës e Zall-Gjoçajt kërkuan më së shumti anulimin e HEC-eve në zonat e tyre. Por kërkesat ishin edhe kundër hidrocentraleve në Vjosë, Valbonë, Kelmend e zona të tjera ku përgjithësisht lejet janë dhënë pa u konsultuar me banorët dhe në shkelje të ligjeve për parqet kombëtare.

Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit në Shqipëri është parashikuar të ndërtohen mbi 500 hidrocentrale, ku mbi 100 prej tyre janë në ndërtim dhe 60 hidrocentrale janë në 12 zona të mbrojtura.

Protestues pranë Kryeministrisë duke pushuar pas disa orësh në diell.

Projekti i hidroenergjitikës shpesh i është mbivendosur projekteve të turizmit, si për shembull ai i zhvillimit të parqeve natyrore apo dhe projektit të 100 fshatrave, por kjo nuk i ka penguar ndërtimet.

Protestat kundër ndërtimit të HEC-eve sidomos për ato në zonat e mbrojtrua janë mbajtur vazhdimisht që prej vitit 2015. Sidoqoftë qeveria nuk i ka përkrahur asnjëherë duke u justifikuar kryesisht se koncesionet për to i dha qeveria paraardhëse.

Në fillim të qershorit Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) përmbylli 5 muaj punë për skanimin e kontratave koncesionare në hidroenergjitikë, skanim që tha se e kishte bërë për të ekuilibruar zhvillimin me ruajtjen e natyrës.

MIE deklaroi se gjeti 27 kontrata në shkelje dhe mbi 30 të tjera me probleme në zbatim. Por Ministria nuk ngarkoi askënd me përgjegjësi për këtë situatë dhe po kështu nuk qartësoi se çfarë qëndrimi do të mbante sidomos ndaj hidrocentraleve që janë parashikuar të ndërtohen në parqet kombëtare.

Ndërkohë ky proces ishte aspak-transparent në këtë drejtim. Exit.al tha që në janar se qeveria nuk kishte anuluar asnjëherë projekte HEC-esh për arsye mjedisore dhe i parapriu përfundimit të këtij procesi që nuk anuloi asnjë hidrocentral në parqet kombëtare.

Në janar MIE tha se ishin 109 kontrata që nuk ishin zbatuar dhe që parashikonin ndërtimin e 344 hidrocentraleve. Pesë muaj më vonë Ministria deklaroi se kryesisht për arsye mos-zbatimi brenda afatesh kishte ndërprerë 27 kontrata, por nuk tha se çfarë do të bënte me 80 veprat hidrike që parashikonin ato. A do të jepen sërish me koncesion apo ato nuk do të ndërtohen më dhe qeveria është tërhequr.

Shqipëria ka mesatarisht 240-300 ditë me diell në vit, por shfrytëzimi i kësaj energjie mbetet me 0.3% të prodhimit të përgjithshëm. Rreth 99.3% e prodhimit mbetet nga hidroenergjitika dhe për këtë vendi mbetet i varur nga reshjet e shiut, ku në sezonet ku nuk ka reshje, prodhimi bie drastikisht.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>