Protesta për Teatrin, qeveria përdori kundër qytetarëve edhe policinë private

Protesta për Teatrin, qeveria përdori kundër qytetarëve edhe policinë private

Qeveria përdori kundër qytetarëve që po mbrojnë Teatrin Kombëtar, në shkelje të ligjit, policinë private, e cila nuk është e specializuar për situatat e tubimeve. Sipas ligjit, qeveria duhet të përdorë policë të specializuar, të pajisur me uniforma të veçanta dhe mjete për kontrollin e turmave në protestë.

Mediat publikuan sot foton ku një prej punonjësve të kompanisë private ‘Nazeri 2000’ goditi me grusht regjizorin Robert Budina, i cili po përpiqej sëbashku me disa dhjetra qytetarë të hynte brenda godinës së Teatrit.

Prania e punonjësve të policisë private në situatat e përballjes me turmat e qytetarëve është e paligjshme. Sipas ligjit ‘Për Shërbimin Privat të Sigurisë Fizike’, neni 27, “Punonjësi i shërbimit privat të sigurisë fizike vepron me cilësinë e rojës, të truprojës, të operatorit, të shoferit, si mbajtës i qenit, si dhe të përgjegjësit të shërbimit [..]”. Ligji nuk përcakton përdorimin e policisë private në përballjet me qytetarët.

Kjo nuk është hera e parë që policia private përplaset me qytetarët që janë angazhuar për të mbrojtur Teatrin Kombëtar.

Në muajin maj, punonjësit e po kësaj policie private dhunuan qytetarët të cilët po përpiqeshin të rivendosnin gërmat e reja të Teatrit, të cilat ishin vjedhur në mbrëmje pa u pikasur nga kjo polici private.

Por sipas ligjit “Për shërbimin privat të sigurisë fizike” Neni 27, punonjësi i policisë private vihet në dispozicion të policisë së shtetit:

dh) sa herë që kërkohet, për parandalimin e veprave penale dhe zbulimin e ngjarjeve të ndodhura në mjedisin ku kryen detyrën ose në ato të lidhura me detyrën.

Pra nëse i referohemi këtyre përcaktimeve ligjore dhe e krahasojmë me dinamikën e situatës që ishte sot, policia private u përdor në shkelje të ligjit jo vetëm për sa i përket funksioneve të saj por edhe për sa i përket “vënies në dispozicion” të policisë së shtetit.

Kompania Nazeri 2000 u bë e njohur për mediat, për faktin se në dy nga tre grabitjet e ndodhura vitet e fundit në aeroportin e Rinasit, ajo ka qenë ngarkuar të siguronte paratë.

Në vitin 2016 asaj iu vodhën 3 milionë euro, ndërsa në prill të vitit 2019 pesë milionë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>