Nuk u paraqit, Gjykata e Apelit shtyn për herë të tretë gjyqin ndaj Klement Balilit

Nuk u paraqit, Gjykata e Apelit shtyn për herë të tretë gjyqin ndaj Klement Balilit

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda në Tiranë shtyu për herë të tretë gjyqin ndaj Klement Balilit, i akuzuar si drejtues i një rrjeti ndërkombëtar të narkotrafikut.

Balili nuk u paraqit sot në gjyq as me avokatin e tij Theodhori Sollaku dhe për këtë Gjykata vendosi që seanca e radhës të mbahet më 11 shtator.

Më 7 maj ndaj Klement Balilit Gjykata e shkallës së parë e Krimeve të Rënda pati vendosur dënim me 15 vite burg, dënim i cili u ul me 5 vite për shkak se ai pati kërkuar gjykim të shkurtuar.

Megjithatë Balili nuk e ka pranuar dënimin dhe e ka apeluar atë. Që prej 12 qershorit, ai dhe avokatët e tij pretendojnë se akuzat nuk provohen.

Por deri më 11 shtator duket se nuk do të ketë seancë gjyqësore për t’i shqyrtuar më tej këto pretendime.

Balili është etiketuar nga mediat greke si “Eskobari i Ballkanit”. Në vitin 2016 në Greqi autoritetet sekuestruan rreth 700 kilogramë marijuanë, sasi të cilën e lidhnin me Balilin.

Në Shqipëri, ai është i njohur për lidhjet politike që familja e tij ka patur, si dhe për bizneset e shumta në Sarandë dhe Vlorë. Në periudhën 2014-2016, Klement Balili ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Transporteve në qytetin e Sarandës.

Asokohe mediat flisnin për një operacion në të cilin autoritetet greke kishin patur edhe bashkëpunimin e DEA-s amerikane.

Për këtë, në maj të vitit 2016 autoritetet shqiptare e shpallën Balilin në kërkim. Ai qëndroi në arrati për 2 vite duke përfituar nga ndryshimet ligjore që më pas e pengonin ekstradimin, dhe më vonë u vetëdorëzua.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>