Ecuria e jashtëzakonshme e Kosovës me 15 ndeshje pa humbje u mbyll mbrëmjen e së martës në Angli.
Pas rreth 2 vitesh pa humbje, përfaqësuesja e Bernard Challandes u mund nga Anglia e Gareth Southgate me rezultatin 5-3, por pavarësisht rezultatit, një nga skuadrat me formën më të mirë në Evropë arriti statistika frymëzuese për vazhdimësinë:
- Kosova u bë e para skuadër që i shënon 3 gola Anglisë në shtëpi. Hera e fundit që kjo kishte ndodhur ishte nëntori i vitit 2007 kundër Kroacisë.
- Kjo ishte hera e parë që prej vitit 1995 që në një ndeshje kundër Anglisë shënohen mbi 6 gola, tre prej të cilëve nga kundërshtari.
- Goli i Valon Berishës pas 34 sekondash lojë, ishte i pari që Anglia pësoi brenda një minuti pas 26 vitesh. Hera e fundit në një ndeshje zyrtare kishte ndodhur në nëntor 1993 kundër San Marinos (Davide Gualtieri).
- Me pritjen e penalltisë, Arijanet Muriqi i prishi sulmuesit Harry Kane një ecuri prej 23 penalltish të suksesshme radhazi me kombëtaren. Penalltia e fundit që një lojtar anglez e kishte humbur në ndeshje zyrtare ishte ajo e David Beckham në Euro 2004 kundër Francës.
Për shtypin britanik, loja dhe shpirti i skuadrës së Kosovës u vlerësua jashtë mase.
Realizimi i dy golave pasi rezultati ishte 5-1, ishte tregues i brumit që ka kjo përfaqësuese, ndërsa duartrokitjet dhe mbështetja e tifozëve u cilësuan më se të merituara.
Pas kësaj ndalese për Kosovën ndeshjet e radhës janë me Gjibraltarin (miqësore), Malin e Zi, Republikën Çeke dhe më 17 nëntor me Anglinë në Prishtinë.
Pas 5 ndeshjesh, Kosova ndodhet në vendin e 3 të Grupit A kualifikues për Euro 2020.
Renditja: Anglia (12 pikë); Republika Çeke (9 pikë); Kosova (8 pikë); Mali i Zi (2 pikë); Bullgaria (2 pikë).