Kostoja e lartë e pushimeve nga puna në administratë

Kostoja e lartë e pushimeve nga puna në administratë

Qeveria Rama ka paguar deri tani më shumë se 3,75 miliardë lekë (gati 30 milionë euro) për dëmshpërblimin e personave të pushuar padrejtësisht nga puna, pas ardhjes në pushtet.

Para se të vinte në pushtet, Kryeministri Rama kishte deklaruar në mënyrë të përsëritur se qeveria e tij nuk do të pushontë specialistët për të punësuar militantët e saj. Këtë qëndrim ai e vazhdoi edhe pas ardhjes në pushtet.

“Nuk mund të bëjmë si Saliu, që të nxjerrim njerëzit në rrugë, edhe ata janë njerëz,” shprehej Kryeministri në mars të 2015. “Të gjithë që më kërkojnë punë, më kërkojnë të punësohen në shtet. Por ne s’kemi mundësi t’i punësojmë të gjithë në shtet, se administrata shtetërore aq është. Por unë s’jam Sali Berisha, që të heq njerëz kot nga puna,” këmbëngulte ai kudo, në seanca parlamentare, në studio televizive, në takime me strukturat e PS-së.

Por ndryshe nga sa premtoi dhe pretendonte publikisht pas ardhjes në pushtet, Qeveria Rama ka zbatuar një fushatë shkarkimesh nga puna në të gjitha institucionet publike dhe të gjitha nivelet. Me mijëra punonjës publikë, përfshi shumë me statusin e punonjësit publik, janë pushuar nga puna pas ardhjes në pushtet të Zotit Rama. Ata janë zëvendësuar me militantë socialist dhe njerëz të afërt të politikanëve të lartë socialist.

Kohët e fundit, media të ndryshme kanë bërë publike lista emërimesh militantësh në institucione publike me “sugjerimin” e shumë deputetëve e ministra socialistë. Publike janë bërë edhe komunikime të brendshme të drejtuesve të lartë të PS ku diskutohen mënyrat se si duhet të punësohen militantët.

Pavarësisht manovrimeve dhe hileve administrative që janë përdorur për pushimet nga puna, ato janë bërë më së shumti në shkelje të ligjeve. Për këtë arsye mijëra të pushuar i janë drejtuar gjykatave për të kundërshtuar vendimet e qeverisë. Shumica e tyre i kanë fituar këto proçese dhe kanë fituar të drejtën e dëmshpërblimit.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>