Projekti i shkollës 9-vjeçare ‘Servete Maçi’, u propagandua më 16 shtator, nga kryebashkiaku Erion Veliaj si ‘projekt i bërë nga studentë të sapodiplomuar’, gjë që Exit.al tregoi se nuk ishte e vërtetë.
Duke marrë shkas nga komentet që mori artikulli në fjalë, Exit.al hulumtoi dhe gjeti se studio Arkonstudio, që kishte fituar tenderin e projektimit, ia kishte nënkontraktuar atë një tjetër studioje: StudioArch4, që zotërohet nga ish-punonjës të administratës së Bashkisë Tiranë.
Tenderi i shkollës Servete Maçi
Bashkia Tiranë e hapi tenderin për projektin e shkollës më 5 maj 2016. Fondi limit për projektimin ishte rreth 49,560 euro.
Në garë u paraqitën 4 oferta nga:
- Infratech & Vler Invest & Arkimade
- Sphaera
- Arkonstudio
- A&E Engineering
Fituese u shpall kompania Arkonstudio me ofertën 44,500 euro.
Projektuesi i vërtetë i shkollës dhe dyshimet për konflikt interesi
Arkonstudio, e cila fitoi tenderin dhe shkroi emrin edhe në tabelën e punimeve, nuk ka të publikuar asnjë projekt të shkollës në faqen zyrtare të saj. Exit.al provoi të lidhej me të, por numri i kontaktit i vënë në web, 042 123456, nuk ishte i saktë.
Arkonstudio nuk e ka publikuar këtë projekt shkolle, megjithëse më parë ka publikuar projekte edhe më pak voluminoze apo më pak të rëndësishme për publikun.
Por një tjetër studio e ka publikuar projektin në web dhe ajo është StudioArch4. Të kontaktuar nga Exit.al, ata konfirmuan se është StudioArch4 që ka projektuar godinën e shkollës Servete Maçi, si e nënkontratuar nga ArkonStudio.
StudioArch4 nuk pranoi të bëjë të ditur se në cilin moment ishte lidhur kontrata dhe cilat ishin kushtet që përcaktonin edhe autorësinë e projektit, sepse kontrata është private.
Ndërkohë, të dhënat e vetë studios dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se zotëruesit e StudioArch4 janë: Gjergji Dushniku, Klaudjo Cari, Lorin Çekrezi dhe Rezart Struga.
Gjergji Dushniku ka qenë Përgjegjës në sektorin e Projektimit Arkitektonit dhe Urban në Bashkinë Tiranë. Në profilin e tij Linkedin, Dushniku tregon se ka punuar në Bashki nga prilli i vitit 2016 – pra përpara se të hapej tenderi i projektimit të shkollës Servete Maçi – dhe deri në nëntor 2018.
Edhe ortaku tjetër Klaudjo Cari pohon në Linkedin se ka punuar për rreth një vit – periudha 2017-2018 – në Bashkinë Tiranë, në të njëjtin departament me zotin Dushniku. Të dy kanë punuar si arkitektë për StudioArch4 që prej vitit 2013 dhe, sipas pohimeve të tyre, janë shkëputur nga studioja private kur kanë nisur punë në Bashki.
Nuk është shumë e qartë se cila ka qenë marrëdhënia e këtyre dy ish-punonjësve të administratës së Bashkisë me StudioArch4 në kohën kur kishin detyra publike, por në janar të këtij viti, pasi ishin larguar nga puna në Bashki, ata u bënë ortakë me 50 për qind të zotërimeve të kompanisë.
Gjithashtu edhe në Future-Architecture, projekti paraqitet si i ideuar nga ortakët e kësaj studioje, sërish duke përfshirë edhe emrat e Dushnikut dhe Carit.