Policia britanike bastisi një shtëpi ku kultivohej kanabis dhe arrestoi një shqiptar, të cilin më pas e la të lirë. Bastisja ndodhi në Wednesfield të Birminghamit, rreth 200 kilometra në veri të Londrës. Policia fillimisht mori një telefonatë anonime ku u denoncua një grabitje.
Dy persona u thanë se kishin mësyrë një shtëpi në Orchard Road të Wednesfield dhe po nxirrnin sende që atje duke i ngarkuar në një makinë. Me mbërritjen e policisë, personat e dyshuar ishin larguar ndërsa një i tretë po përpiqej të largohej duke vrapuar. Birminghammail thotë se personi në fjalë, një 26-vjeçar, ishte shqiptar, por që pasi u arrestua u la i lirë nga policia.
Në shtëpinë, që ishin përpjekur ta grabisnin, autoritetet gjetën një laborator të sofistikaur droge. Drita speciale për nxitjen e fotosintezës së bimëve dhe pajisje ventilimi për ajrosje ishin vendosur kudo. Dhjetëra bimë kanabisi ishin kultivuar në vazo të ndryshme të vendosura në papafingo dhe në tre dhoma të tjera.
Në muajin korrik, policia bastisi një tjetër laborator kanabisi rreth 20 kilometra më larg, në Wolverhampton. Policia asgjësoi rreth 2,800 bimë kanabisi me vlerë 2,5 milionë paundë. Laboratori përbëhej nga 7 dhoma magazine pajisur me drita speciale dhe pajisje ventilimi.
Në Britani të Madhe, kultivimi dhe trafiku i marijuanës dënohet nga 5 deri në 14 vite burg. Kultivimi në shtëpi periferike mendohet të jetë një nga teknikat që përdorin rëndomtë bandat shqiptare në Angli.
Autoritetet britanike e cilësojnë narkotrafikun si aktivitetin kryesor të tyre. Shpesh emigrantë të shumtë e gjejnë veten të detyruar për t’u përfshirë në rrjet, ndërkohë që përgjithësisht rekrutohen njerëz nga veriu i Shqipërisë.
Vlen të theksohet se narkotrafiku ka shtuar shqiptarët në burgjet britanike, aq sa një në çdo 10 të burgosur të huaj për narkotrafik është shqiptar.