“Ne [Lëvizja Vetëvendosje] e kemi kundërshtuar dakordimin [mes Serbisë dhe Shqipërisë], pasi është në kundërshtim me interesat e Kosovës.”
Kështu deklaroi deputetja e Lëvizjes Vetëvendosja Albulena Haxhiu, në një intervistë për KosovaPress.
Duke folur për marrëveshjen e firmosur më 10 tetor në Novi Sad mes Ramës, Vuçiçit dhe Zaevit, përfaqësuesja e LVV-së sqaroi se ky ‘minishengen’ i shkakton dëm të madh Kosovës, e veçanërisht ekonomisë së saj.
Albulena Haxhiu kritikoi kryeministrin Rama për marrëdhënien e afërt që ka ndërtuar me presidentin serb Vuçiç:
“Shqipëria duhet ta shikojë Serbinë ashtu siç e shikon Kosova. Mendoj që qeverisja aktuale nuk e ka parë Serbinë si Kosova. Këtu na ka shkaktuar jashtëzakonisht dëm të madh.”
Dy javë më parë, kryeministri Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev nënshkruan në Novi Sad një marrëveshje mirëkuptimi për krijimin e një zone për lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve midis tri vendeve.
Deri më tani, informacioni dhënë qytetarëve shqiptarë në lidhje me këtë marrëveshje është i pakët. Në disa prej mediave kosovare, takimi i tre liderëve është komentuar si tentativë për të eliminuar kontrollet kufitare dhe pengesat e tjera të lëvizjes së lire mes tre vendeve, duke përjashtuar Kosovën.