Qeveria po përgatitet të bëjë më të lehtë proçesin e marrjes së pronës pronarëve nga qytetarët dhe bizneset, për qëllime publike, dhe të zgjerojë fushën e projekteve për të cilat ajo mund të shtetëzojë pronën private.
Përmes Ministrisë së Infrastukturës qeveria ka përgatitur një sërë propozimesh për ndryshimin e Ligjit për Shpronësimet Publike. Ndër të tjera, ndryshimet parashikojnë krijimin e Agjencisë Shtetërore për Shpronësimet, në varësi të Ministrisë së Infrastukturës, e cila do të jetë përgjegjëse për të gjitha procedurat e shpronësimit.
Por krijimi i një institucioni të tillë cënon frymën e ligjit dhe krijon hapësirë për abuzime, veçanërisht për zgjerimin e qëllimeve për të cilat mund të shpronësohet prona publike.
Deri më sot, vlerësimi i kritereve dhe kushteve ligjore për shpronësim e një prone bëhet nga ministria përkatëse. Ajo propozon projektin që kërkon shpronësim dhe është e detyruar të përdorë ekspertë të pavarur:
“Anëtarët e komisioneve duhet të jenë nëpunës ose ekspertë të pavarur, me përvojë dhe kualifikim të posaçëm në fushën juridike, ekonomike dhe inxhinierike, të cilët, në çdo rast, nuk duhet të kenë lidhje fisnore apo krushqie me të shpronësuarit, ose lidhje interesash të çdo lloji me palët e interesuara për shpronësimin.”
Qeveria kërkon, nëpërmjet ndryshimeve, që këto kompetenca t’i ushtrojë Agjencia, duke eleminuar vlerësimet pavarur dhe përqëndruar çdo gjë në një institucion të vetëm, në varësi të saj.
Nga ana tjetër ky ndryshim ligjor shton mundësinë e kundërshtimit të vendimeve të qeverisë për shpronësime në Gjykatën e Strasburgut.
Në praktikë shpronësimi ndodh rrallë, për shkak se jo çdo ditë kemi projekte apo investime. Sipas të dhënave në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, numri i shpronësimeve në Shqipëri është i ulët – rreth 20 në vit.
Ligji aktual përcakton se për të shqyrtuar kërkesat për shpronësim ngrihen komisione të përkohshme, veprimtaria e të cilave mund të zgjasë për disa javë apo muaj. Ndryshimet përcaktojnë se do të kemi një institucion qeveritar që do të funksionojë në mënyrë të përhershme.
Ngritja e kësaj strukture qeveritare ngre dyshime se ky numër mund të vijë duke u rritur në të ardhmen.
Propozim i qeverisë vjen dhe në një kohë kur Kryeministri Edi Rama ka përgatitur një skemë të rrezikshme të përdorimit të pronave publike, rezultati i së cilës do të jetë tjetërsimi i bregdetit dhe pasurive të tjera publike të vendit, nëpërmjet Korporatës së Investimeve.
Qeveria miratoi së fundmi ligjin “Për Korporatën e Investimeve”, e cila është një kompani shtetërore që do të marrë në pronësi për të menaxhuar dhe për t’i përdorur për investime, të gjitha pronat shtetërore dhe publike të vendit.
Me anë të këtyre lëvizjeve duket se qeveria po përgatitet të lehtësojë procesin e shpronësimit, në favor të klientëve të saj.