Teksa dhjetra banorë të Unazës së Re janë në spital pas dhunës së policisë dhe qindra të tjerë po nxirren me forcë nga shtëpitë e tyre, Kryeministri Edi Rama po zhvillon shfaqjen propagandistike të radhës në platformën ‘Shqipëria që duam’.
Në një sallë të kryeministrisë mbushur me qytetarë, Rama njoftoi se do të zhvillojë bashkëbisedimin e përjavshëm me qytetarët të cilët i janë drejtuar platformës ‘Shqipëria që duam’ për të zgjidhur problemet e tyre.
Duke injoruar situatën e tensionuar dhe dhunën që po ushtrohet ndaj qytetarëve tek Unaza e Re, Rama tha se ‘çdo njeri i zakonshëm i këtij vendi gjen zgjidhje tek platforma e bashkëqeverisjes.’
Në Facebook, kryeministri shkroi se përmes platformës së bashkëqeverisjes ‘mjafton një klik dhe gjen një mik’.
Dhjetra qytetarë i kanë komentuar kryeministrit që të ndalë aksionin policor dhe dhunën ndaj banorëve tek Unaza e Re. Disa prej komentuesve me ironi e pyetën Ramën se ”si mund të gjejnë ‘një mik me një klik’ banorët që po dhunohen e po nxirren nga shtëpitë e tyre”.
Që prej orëve të para të mëngjesit, qindra policë kanë rrethuar banesat, kanë larguar me dhunë banorët dhe kanë nisur prishjen e banesave në zonën e Unazës së Re.
Deri tani 12 banorë janë shtruar në spital si pasojë e dëmtimeve nga gazi lotsjellës dhe dhuna e policisë.
Dhjetra banorë të tjerë janë shoqëruar në komisariatin e policisë.