Qeveria socialiste duket se po përgatitet të prezantojë votimin elektronik, online dhe përmes postës në zgjedhjet e vendit.
Pasi, PS testoi sot për herë të parë votimin elektronik dhe on-line në njësinë 8 të Tiranës, dhe votimin përmes postës shqiptare për anëtarët e PS-së që ndodhen jashtë vendit, përfaqësues të qeverisë socialiste dhe të PS-së u shprehën se kjo formë votimi duhet të bëhet në zgjedhjet e vendit.
Kështu, Elisa Spiropali, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali tha për News 24 se “shpresojmë që ky të jetë një shembull edhe për Reformën Zgjedhore në tërësi. Ne jemi të hapur për të gjitha format e hapura të votimit e numërimit, madje po e bëjmë edhe realitet votimin elektronik”.
Sekretari organizativ i PS, Arben Pëllumbi tha se votimi elektronik është një proces i thjeshtë, i cili do të zbatohet në të gjitha degët e PS e më pas do ti paraqitete “Komisionit të Reformës Zgjedhore nëse është një proces që është në kohën e duhur apo nuk është në kohën e duhur”. Ai theksoi se këto tre forma të reja votimi janë të thjeshta për tu zbtauar teknikisht, por duhet “vullnet politik” për t’i pranuar ato.
Partia Socialiste zgjodhi sot 706 delegatë për në Kongresin e PS, në shkurt të 2020. Delegatët u zgjodhën sipas parimit një anëtarë një votë. Sipas, Sekretarit për Media, Alfred Peza në votim morrën pjesë rreth 103 mijë anëtarë të PS.