“Ardian Dvorani është përgjegjës për krizën kushtetuese”
Kështu u shpreh ish kryeministri Sali Berisha në një deklaratë përballë gazetarëve, pas takimit me Presidentin Meta. Ai akuzoi kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvorani, të cilin e quajti “gjyqtari i partisë”, se ka vepruar në mungesë të plotë të transparencës.
Zoti Dvorani dërgoi në të njëjtën kohë listat me kandidatët e përzgjedhur te Presidenti dhe Kuvendi. Zoti Berisha pohoi se kryetari i KED nuk ka bërë publike asnjë informacion apo raport për skualifikimin e kandidatëve të tjerë, duke kualifikuar “kandidatët e Edi Ramës”.
“Kushtetuta është e qartë, Presidenti e zgjodhi te parën, rradha ishte e Kuvendit, por Dvorani i dërgoi listat në të njëjtën kohë, duke shkelur ligjin dhe Kushtetutën” u shpreh ai . Gjithashtu shtoi se KED në kundërshtim me ligjin ndaloi Avokatin e Popullit të merrte pjesë në mbledhjet në dhomën e këshillimit.
Për betimin te noterja të Arta Vorpsit, Berisha u shpreh se “ai është betim Lane”. Ai theksoi se betimi është akt solemn që detyron funksionarin të kryejë detyrën e tij.
Përsa i përket zgjedhjes së Elsa Toskës dhe Fiona Papajorgjit në Gjykatë Kushtetuese, ish kryeministri e konsideroi të pavlefshëm emërimin e tyre pasi ato ishin të vetmet kandidate në listat e Kuvendit.
Sipas zotit Berisha veprimet e KED “nuk përtypen nga BE, Bundestagu” dhe do të ndikojnë në hapjen e negociatave me BE.
Ai deklaroi se Presidenti Meta po bën gjithçka për të mbrojtur Kushtetutën dhe reformën në drejtësi, të cilën e cilësoi si “të kapur nga Edi Rama”.