Federata Shqiptare e Futbollit vendosi të shtyjë aktivitetet e kësaj jave për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme të krijuar nga tërmetet e ditës së martë.
Përmes një njoftimi për shtyp FSHF tha se:
“[…] për shkak të gjëndjes së jashtëzakonshme që është krijuar pas tërmetit që ka goditur vendin tonë ditën e sotme, i gjithë aktiviteti futbollistik për këtë javë është ndërprerë. Sytë dhe zemrat tona janë pranë familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre dhe solidarizohemi me të lënduarit nga kjo ditë e vështirë.”
FSHF tha se për datat e reja se kur do të vendoset të luhet sërish do të njoftohet ditët në vijim. Ndër aktivitetet e parashikuara ishte “Kupa Pavarësia” e cila më 28 nëntor do të luante edicionin e 11-të të saj.
Një tërmet 6.3 ballë goditi vendin sot në orën 3:50 të mëngjesit. Lëkundjet ishin shkatërrimtare në Durrës dhe Thumanë pasi shembi disa ndërtesa duke lënë rreth 20 të vdekur dhe qindra të plagosur.
Stadiumi Niko Dovana në Durrës është kthyer në qendër strehimi për personat që u prekën nga tërmeti.