Brenda dy ditësh, nga dita e tërmetit, Bashkia Tiranë bleu me urgjencë dhe pa garë katër makina të vjetra zjarrfikëse nga kompania Timak shpk, me vlerë totale €170 mijë.
Çdo gjë—nga hartimi i specifikimeve të blerjes, vendosja e procedurave, identifikimi i ofruesit, negocimi me të dhe vendimi i blerjes—ndodhi brenda 48 orësh. Tërmeti u përdor si pretekst për urgjencën e procedurave dhe shmangien e konkurrencës, për të blerë mjete të përdorura, të vjetra dhe me cilësi të dyshimtë.
Tenderi pa garë
Më 27 nëntor, një ditë pas tërmetit, Bashkia Tiranë vendosi prokurimin me negocim direkt, pa shpallje të njoftimit për katër kamionë zjarrfikëse me fond limit pak më shumë 20,8 milionë lekë. Kjo procedurë do të thotë se Bashkia Tiranë vendos vetë se kujt do t’ia blejë automjetet pa asnjë kriter apo kufizim.
Dy ditë më pas, më 29 nëntor, Bashkia shpalli fituesin e prokurimit, kompaninë Timak shpk, e cila kishte paraqitur ofertë me vlerë 20,8 milionë lekë (170 mijë euro), sa 99,9 për qind e fondit limit—saktësisht rreth 270 euro më pak se limiti.
Kjo do të thotë se vetëm brenda një dite pune, Bashkia negocioi dhe ra dakord me Timak për blerjen.
Në kushtet e blerjes u kërkua “të jenë të targuara me dokumentacion të rregullt” dhe dorëzimi të bëhej “brenda 1 dite pranë Shërbimit Zjarrfikës Tiranë”.
Kjo do të thotë se Timak shpk i ka pasur gjendje zjarrfikëset.
Pse një kompani mund të mbajë stok makina zjarrfikëse, të përdorura dhe të një cilësie të dyshimtë, mund të spekulohet nga çdo kush, por blerja në mënyrë urgjente pa asnjë konkurrencë, fiks me vlerën e fondit limit, ngre dyshime se ka patur koordinim mes Bashkisë Tiranë dhe kompanisë, që para shpalljes së procedurës së prokurimit.
Neni 33 i ligjit të prokurimeve thotë se “procedura me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit përdoret vetëm në rrethana të veçanta” dhe përdorimi i saj “nuk duhet të çojë në shmangien e konkurrencës, apo të diskriminimit të kandidatëve”.
Gjendja pas tërmetit të 26 nëntorit mund të konsiderohet rrethanë e veçantë, por në këtë rast është e qartë së është shmangur cdo lloj konkurrence.
Emergjencë për zjarrfikëse të vjetra
Shqetësimi kryesor i prokurimit të 4 makinave zjarrfikëse është cilësia e tyre. Çmimi €40 mijë për një makinë zjarrfikëse tregon se praktikisht janë blerë makina të përdorura dhe me teknologji të vjetër.
Në fakt, në mënyrë skandaloze Bashkia ka kërkuar të prokurojë makina që mund të ishin prodhim edhe i para 30 vjetëve. Specifikimet e Bashkisë në lidhje me vitin e prodhimit të mjeteve që ka kërkuar të prokurojë përcaktojnë:
- 1 zjarrfikëse jo më e vjetër se e vitit 1989
- 1 zjarrfikëse jo më e vjetër se e vitit 1990
- 1 autobot me vit prodhimi jo më i vjetër se viti 1991
- 1 autoshkallë me vit prodhimi jo më i vjetër se viti 2000
Mbi çfarë arsyetimi dhe standardi Bashkia mund të vendosë vit të pranueshëm prodhimi vitin 1989 është e vështirë të kuptohet, veçanërisht kur ky specifikim bie ndesh me standardet shtetërore për makinat e importuara.
Ajo që mund të mendohet ështe se me këtë lloj prokurimi Bashkia Tiranë po kërkon të blejë stokun e Timak shpk dhe të plotësojnë nevojat e saj për shërbimin kundër zjarrit.
Në të vërtetë, aktiviteti i Timak shpk meriton të hetohet më tej, për të kuptuar se si një kompani e krijuar në vitin 2016 është bërë menjëherë furnizuesi ekskluziv i makina zjarrfikëse për bashkitë e vendit—ajo ka furnizuar me dhjetëra makina për dhjetëra bashki dy vitet e fundit.
Problemi kryesor është se të gjitha kanë qënë makina të vjetëruara, dhe me shumë gjasa, të dala jashtë përdorimit për qëllimin e tyre si zjarrfikëse. Për shembull, në të paktën 6 raste Timak ka shitur makina zjarrfikëse me vlerë €26 mijë (përfshi TVSH). Se çfarë cilësie zjarrfikëse mund të blihet me ketë çmim, mjafton të verifikosh çmimet në tregun e makinave të përdorura.
Exit News shqyrtoi portalin TruckScout24 dhe po rendit tre çmime të viteve të ndryshme të prodhimit për makina zjarrfikëse të përdorura:
- Renault i vitit 1989 – 16 mijë euro
- Iveco i vitit 1999 – 63 mijë euro
- MAN i vitit 2018 – 268 mijë euro
Prandaj, është e arsyeshme të thuhet se Timak shpk po pastron në Shqipëri stoqet e makinave të nxjerra jashtë përdorimit në botë, duke ja u shitur bashkive të vendit, siç mund të shikohjet nga të dhënat e Open Data Albania.
Ky aktivitet me shumë gjasa po bëhet në shkelje të ligjit. Vitin e kaluar, qeveria ndaloi importin e automjeteve të rënda më të vjetra se 15 vite nga data kur kryhet regjistrimi i tyre në Shqipëri.
Kjo do të thotë se Bashkia Tiranë dhe shumë bashki të tjera po bëjnë specifikime teknike dhe, me gjasa, blejnë makina zjarrfikëse në shkelje të ligjeve dhe standardeve shtetërore.
Hileja që mund të jetë përdorur është se Timak shpk ka krijuar një stok të madh zjarrfikësesh të vjetra, përpara se të hynte në fuqi ndalimi i importimit të makinave të prodhuara para vitit 2004, dhe pastaj ka filluar shitjen e këtij stoku.
Ndërkohë, mbi 10 bashki kanë kërkuar, thuajse njëkohësisht, të blejnë makina zjarrfikëse dhe të gjitha i kanë blerë nga Timak shpk me çmim, në të gjitha rastet, sa rreth 99 për qind e fondit limit.