Presidenti Ilir Meta publikoi sot një tjetër video shpjeguese se si qëndron çështja rreth përplasjes që krijoi zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese (GJK) si pasojë e veprimeve të Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) Ardian Dvorani.
Përmes një video të postuar në Facebook, Zoti Meta thotë se për të emëruar Zonjën Arta Vorpsi në Gjykatën Kushtetuese (GJK) Zoti Dvorani “nuk ndoqi rrugën Kushtetuese” por “rrugën e Partisë”.
Presidenti e ka kallëzuar Zotin Dvorani për “shpërdorim detyre” dhe “përvetësim kompetencash” pasi e ktheu konkurrimin për një vend në GJK në “konkurrim fiktiv”, “shkeli afatet” dhe “nuk respektoi radhën e emërimeve” në mënyrë “që të emërohej Arta Vorpsi”.
Të dashur qytetarë,Në vijim të spotit të parë, sot autorizova publikimin e spotit të dytë zyrtar në mbrojtje të Kushtetutës dhe integritetit të Gjykatës Kushtetuese.Disa nga pyetjet që lidhen me spotin e parë, marrin një sqarim shterues përmes këtij spoti të dytë që po ndaj me ju.
Gepostet von Ilir Meta am Mittwoch, 18. Dezember 2019
Në videon e dytë Presidenti tregon disa kompetenca të Kryetarit të KED-së, i cili:
- në raport me vendimmarrjen është vetëm anëtar i KED-së dhe ka vetëm 1 votë
- për detyrë më të rëndësishme ka publikimin e procesvërbaleve të KED-së në faqen e Gjykatës së Lartë
Mirëpo publikimin e procesvërbaleve, Zoti Dvorani nuk e ka bërë që prej 15 janari i vitit 2019-të, për 32 mbledhje radhazi.
Presidenti kujton se KED-ja renditi 4 vakancat e GJK-së sipas radhës Kushtetuese: (1) President; (2) Parlament; (3) President; (4) Parlament. Nuk i renditi: (1) President; (2) President; (3) Parlament; (4) Parlament.
Vendimi i Zotit Dvorani për të nisur njëherazi 2 vakancat Presidentit dhe 6 ditë më vonë 2 vakanca njëherazi Parlamentit është në kundërshtim me vetë KED-në, “që i ka miratuar vakancat në një ditë dhe sipas radhës Kushtetutese”.
Presidenti thotë se për këtë arsye publikimi më 9 nëntor 2019 në Fletoren Zyrtare i vendimit të KED-së së publikuar më parë më 22 shtator 2019 në faqen e Gjykatës së Lartë është “akt mashtrues”.
Pas situatës së krijuar Presidenti thekson se KED-ja nuk ka mbajtur asnjë mbledhje për të vlerësuar mekanizmin zhbllokues të emërimeve në GJK. Ai e akuzon Zotin Dvorani për marrje kompetencash kushtetuese falë lidhjeve politike.
“Partia e mbajti 6 vjet në detyrë (në Gjykatën e Lartë) përtej mandatit kushtetues 9-vjeçar. Mjaft me sundimin e partisë […] Kushtetuta është ligji më i lartë i Republikës së Shqipërisë”.