Të gjitha vendet anëtare të NATO-s kanë shprehur mbështetje ndaj SHBA-ve pas vendimit për ekzekutimin e gjeneralit iranian, Qassem Soleimani.
Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg pas një takimi mes vendeve anëtare, në të cilin SHBA-të informuan rreth operacionit.
Siç raporton Zëri i Amerikës, gjatë takimit SHBA-të nuk u kritikuan, përkundrazi morën mbështetje për gjendjen në Lindjen e Mesme, ndërsa në anën tjetër nga Sekretari Stoltenberg u bë thirrje për qetësi.
“Ne jemi të bashkuar në dënimin që i bëjmë mbështetjes së Iranit për një shumëllojshmëri grupesh terroriste […] aleatët bënë thirrje për përmbajtje dhe çtensionim. Një konflikt i ri nuk do të ishte në interes të askujt. Prandaj Irani duhet të përmbahet nga dhuna dhe provokimet e mëtejshme.”
Në takim nuk pati diskutime apo kritika rreth listës me objektiva të Presidentit Trump, që përfshijnë edhe objekte kulturore, nëse Irani hakmerret me sulme ndaj amerikanëve apo pronave të SHBA-ve.
Takimi u përqendrua kryesisht te vendimi i NATO-s për të pezulluar misionin e saj të trajnimit në Irak, pas një rezolute të parlamentit irakian, që bënte thirrje për largimin e trupave të huaja.
Ndërsa ekzistonte shqetësimi se vrasja e gjeneralit iranian mund të shkaktojë një konflikt të ri në Lindjen e Mesme, Franca, Gjermania dhe të vende të tjera thanë se dëshirojnë që misioni në Irak të vazhdojë.
Misioni i NATO-s në Irak përfshin personel ushtarak dhe civil. Ai përbëhet nga disa qindra trajnues, këshilltarë dhe staf mbështetës si nga vende anëtare ashtu edhe jo-anëtare, partnere të aleancës.
NATO përbëhet nga 29 shtete, anëtare e së cilës, prej vitit 2009 është edhe Shqipëria, e cila ka kontribuar në disa misione në Irak dhe Afganistan.