34 punëtorë kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në punë, në periudhën janar-nëntor 2019. Të dhënat e bëra publike në një raport të Inspektoratit të Punës, tregojnë se sektorët ku kanë humbur më shumë punëtorë jetën janë ndërtimi, me 15 të vdekur, dhe minierat me 7 të vdekur.
Krahasuar më vitin e kaluar ku vetëm 5 punëtorë ndërtimi humbën jetën në punë, numri i të punëtorëve që kanë humur jetën në ndërtim është trefishuar këto 11 muaj, duke arritur në 15.
Gjatë kësaj periudhe 157 punëtorë janë lënduar ose plagosur gjatë punës. Sërish sektori me më shumë të aksidentuar është ndërtimi: nga 157 punëtorë në total, 42 janë në ndërtim.
Pas sektorit të ndërtimit, numri më i madh i të aksidentuarve në punë është në ndërmarrje prodhuese, me 35 të aksidentuar, dhe në miniera me 25 të aksidentuar.
Mes punëtorëve të aksidentuar, 25 kanë qenë femra.
Në 176 kompani e subjekte të inspektuara pas marrjes së sinjalizimit për aksidente në punë, Inspektoriati i Punës ka gjetur 266 punëtorë të pasiguruar, shumë prej të cilëve janë lënduar ose kanë humur jetën.
Një ditë më parë, dy minatorë të minierës së Albchrome në Bulqizë u lënduan teksa po punonin në galeri. Sipas Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB) në dy javët e fundit janë aksidentuar 3 minatorë gjatë punës.
Edhe në ndërtim, janë shënuar viktimat e para për vitin 2020; në Korçë më 3 janar, një punëtor 36 vjeçar humbi jetën, ndërsa një tjetër u plagos për shkak të moszbatimit të rregullave të punës me betonieren.