Presidenti Ilir Meta ftoi qeverinë që të lexonte sërish argumentat e tij për kthimin e paketës anti-shpifje për rishqyrtim në parlament.
Përmes një postimi në Facebook, zoti Meta tha se dy vitet e fundit ka një përkeqësim të treguesve për lirinë e shprehjes dhe funksionimit të shtetit demokratik prandaj:
“[…] është koha për të reflektuar dhe për të mos ecur me kokëfortësi në rrugën e censurës dhe autoritarizmit, që do të përbënte rrezik për të ardhmen europiane të Shqipërisë.”
Komenti i Presidentit Meta erdhi si reagim ndaj deklaratës së kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla. Ky i fundit, në një dalje për mediat, tha se “zoti Meta kishte zbatuar urdhërat e opozitës” dhe se shumica parlamentare do t’i rivotonte ndryshimet ligjore pa ndryshime.
“Më 20 janar dekretet i njoftohen Kuvendit, dhe në seancën më të parë dekretet e z. Meta do të rrëzohen.”
Presidenti Meta ktheu për rishqyrtim ndryshimet e bëra nga qeveria në 2 ligje, atë për mediat audiovizive dhe komunikimet elektronike. Ndryshimet qeveria i paraqiti si “paketa anti-shpifje” duke e propaganduar se ato i vijnë në ndihmë qytetarëve, por Presidenti i ktheu për rishqyrtim me argumentet se ndryshimet shkelin parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik dhe të drejtën e lirisë së shprehjes.