E gjithë qeveria ruse dha sot dorëheqjen pasi Presidenti Vladimir Putin deklaroi nevojën për ndryshime kushtetuese, të cilat mund t’i japin më shumë pushtet parlamentit.
Gjatë fjalimit vjetor drejtuar Kuvendit, Presidenti Putin propozoi referendum për ndryshimin e kushtetutës së Rusisë. Ndryshimet u kërkuan për rritjen e fuqisë së parlamentit – duke ruajtur sistem të fortë presidencial.
Presidenti rus sidoqoftë nuk specifikoi ndonjë datë për referendumin. Kryeministri Dmitry Medvedev, i cili i paraqiti dorëheqjen Putinit, do të emërohet nënkryetari i ri i Këshillit të Sigurisë, një post me goxha ndikim në Rusi.
Gazetarët lokalë në Moskë e shohin këtë lëvizje si shenjë besimi që Putin ka ndaj Medvedevit.
Presidenti Vladimir Putin është në detyrë që prej vitit 2012. Mandati i tij i dytë radhazi mbyllet në vitin 2024. Sipas Kushtetutës, ai nuk mund të kandidojë më për këtë post, të cilin e ka mbajtur edhe në periudhën 2000-2008. Në vitin 2024 ai do të jetë 71 vjeç.
Në fjalimin e tij, ai bëri thirrje për forcimin e kompetencave të parlamentit, si për zgjedhjen e kryeministrit dhe anëtarëve të qeverisë. Mediat raportojnë se Presidenti do të ketë gjithësesi si fuqinë për të shkarkuar qeverinë dhe do të mbajë kontrollin e ushtrisë, policisë dhe inteligjencës.
Nga propozimet e Putinit, çdo kandidat për President duhet të ketë jetuar në Rusi 25 vitet e fundit.
Rusia për herë të fundit zhvilloi referendum në vitin 1993 kur miratoi kushtetutën aktuale nën paraardhësin e Putinit, Boris Yeltsin, presidenti i parë i federatës ruse 1991-1999.
Pas dorëheqjeve, qeveria aktuale do të duhet të vazhdojë punën e saj derisa Putini të zgjedhë – sipas kushtetutës aktuale – një qeveri të re, e cila do të mbikëqyrë ndryshimet kushtetuese të sistemit dhe strukturave të pushtetit në Rusi.