Policia njoftoi sot se pas një aksioni të zhvilluar në Shkodër ka gjetur prova të reja për pengmarrjen e Jak Prengës.
Në njoftimin e saj policia tha se mëngjesin e sotëm ka kontrolluar disa banesa, biznese, magazina dhe ndërtesa të braktisura në rrethinat dhe qytetin e Shkodrës dhe se ka zbuluar prova të vlefshme për zbardhjen e ngjarjes.
Konfirmohen kështu pretendimet e gazetarëve të kronikës se në pengmarrjen e Prengës mund të ketë marrë pjesë edhe një bandë nga Shkodra.
Prenga u mor peng më 17 janar në Kamëz. Ai mendohet se u vra nga dhuna e ushtruar. Pengmarrësit i zhdukën trupin. Policia ka arrestuar aktualisht 5 persona dhe ka shpallur në kërkim 5 të tjerë – kliko këtu për të lexuar: Pikëpyetjet e pengmarrjes së Jak Prengës.
Nga 5 personat e shpallur në kërkim, dy prej tyre janë nga Shkodra. Pengmarrja ka nxjerrë në pah përfshirjen e të paktën 3 bandave nga Vlora, Shkodra dhe Shijaku. Ngjarja ka treguar se grupet shqiptare të narkotrafikut ndërkombëtar qarkullojnë sasi të mëdha droge dhe pastrojnë paratë në resorte turistike.
Mbrëmjen e së mërkurës, gazetari Artan Hoxha dëshmoi me video se, Altin Hajri, një nga të kërkuarit e policisë, ishte arrestuar në vitin 2017, por që me ndërhyrje politike ishte liruar.