Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë Enio Jaco theksoi sot nevojën urgjente që ka Shqipëria për të tërhequr investime të huaja të reja.
Gjatë Forumit Ekonomik të Tiranës, Zoti Jaco u shpreh se përfundimi i dy projekteve të mëdha, TAP dhe Devoll, e bën kritike nevojën për investime të reja:
“Investimet krijojnë tregje të reja pune, mundësi biznesi dhe rrisin konkurencën. Por ato janë bërë edhe më kritike se kurrë, për arsye të reduktimit të pritshëm të 2 projekteve të mëdha TAP dhe Devoll – si dhe pasojave të tërmetit, i cili sipas reagimeve që ne kemi marrë nga anëtarët tanë do të ndikojë në uljen e shpenzimeve konsumatore si dhe reduktimin e të ardhurave.”
Ai u shpreh se në vitet e fundit, Shqipëria nuk ka mundur të përmirësojë klimën e të bërit biznes, veçanërisht krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, ndaj nëse një investitor do të investojë në rajon, ai nuk zgjedh Shqipërinë:
“Investitori tipik i interesuar për Ballkanin merr një vendim se në cilin nga vendet duhet të vendoset për të mbuluar rajonin. Vendi në të cilin ai vendoset merr dhe pjesën kryesore të investimit.
Shqipëria është e 82-ta në botë, ndërkohë që të gjithë fqinjët tanë (përveç Bosnjës e cila ka kushte të tjera gjeopolitike) renditen ndjeshëm më lartë. Mali i Zi renditet i 50-ti, Kosova e 57-ta, Serbia në vendin e 44, ndërsa Maqedonia e Veriut e 17-ta. Pra, është Serbia dhe Maqedonia e Veriut që kanë fituar konkurrencën rajonale për thithjen e investimeve të huaja. Këtu ne dështojmë.”
Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë propozoi dhe shprehu gatishëmrinë për të bashkëpunuar për nisjen e një reforme investimesh si e vetmja mundësi për të tërhequr investime të huaja dhe për të shfrytëzuar potecialin e vendit:
“Reforma për Investimet është e rëndësishme, jo vetëm sepse renditemi të fundit në rajon por ajo është thelbësore për potencialet e mëdha që ne kemi dhe që investitorët mund të shfrytëzojnë. Ne mendojmë se Shqipëria mund të bëhet lider për investimet e huaja në rajon dhe që të bëhet e tillë, kjo reformë është jetike.”
Në një intervistë dy muaj më parë, Zoti Jaco ka shpjeguar dhe më specifikisht arsyet kryesore se përse investitorët amerikanë zgjedhin të shkojnë në Serbi e Maqedoninë e Veriut dhe shmangin Shqipërinë: korrupsioni i lartë dhe ndërhyrja politike janë shkaqet kryesore.
Të njëjtat shqetësime ka ngritur dhe Departamenti i Shtetit Amerikan, i cili në raportin për ‘Klimën e Investimeve 2019’ në Shqipëri theksonte se investitorët e huaj përmendin korrupsionin, mungesën e transparencës gjatë prokurimeve publike dhe ndërhyrjet politike si probleme kryesore të të bërit biznes në Shqipëri.