Kryetari i opozitës Lulzim Basha vizitoi mbasditen e sotme ambientet e godinës 4 në Qytetin Studenti, së bashku me disa studentë.
Pas kësaj vizite, ka reaguar Bashkia Tiranë e cila tha se kjo vizitë është bërë pa leje dhe se Basha ka ushtruar dhunë mbi recepsionisten e godinës. Bashkia Tiranë paditi në polici Lulzim Bashën dhe katër shoqëruesit e tij për shkelje të rregullave:
“Bashkia e Tiranës sqaron se në mjediset e godinave të Qytetit Studenti mund të hyhet vetëm duke marrë një leje paraprake pranë Drejtorisë së Konvikteve, procedurë e cila ndiqet rigorozisht edhe nga familjarët e studentëve që banojnë në ato godina. Lulzim Basha nuk ka kërkuar dhe nuk ka marrë leje për të hyrë në Godinën nr.4.”
Menjëherë pas padisë së Bashkisë Tiranë, PD sqaroi për qytetarët se mes Lulzim Bashës dhe recepsionistes së godinës ka pasur një bashkëbisedim normal dhe jo dhunë siç pretendon bashkia.
Në një konferencë për shtyp, PD deklaroi se vizita e Zotit Basha ka frikësuar kryebashkiakun Veliaj
“Në asnjë vend të botës së lirë kryetari i opozitës nuk pengohet të vizitojë një ambjent publik apo të takojë studentë. Kjo mund të ndodhë në Korenë e Veriut. Ose në Tiranën e Erion Veliajt, ku thjesht një vizitë i tremb për vdekje se mos çjerr fasadën që përcjell propaganda.”