Një prej 6 të dyshuarve të lidhur me pengmarrjen dhe vrasjen e Jak Prengës iu vetëdorëzua sot policisë duke pretenduar pafajësi dhe sekuestrim të padrejtë të pasurisë.
Mediat raportuan se Ardian Doçi udhëtoi nga Austria drejt Malit të Zi dhe rreth orës 15:30 iu dorëzua policisë kufitare të Hanit të Hotit në Shkodër.
Doçi është një prej 6 personave, të cilëve aksioni policor Operacioni Forca e Ligjit u sekuestroi pasditen e së martës disa vila në Shkodër. Autoritetet i lidhën masat e sekuestros me pengmarrjen dhe vrasjen e Jak Prengës e ndodhur më 17 janar në Shijak.
Familjarët dhe avokati i Ardian Doçit mohuan për Report TV përfshirjen e të afërmit të tyre në aktivitete kriminale.
Për pengmarrjen e Prenges akuzohen gjithashtu Dritan Rexhepi, Gentian Doçi e Martin Bleta. I pari ndodhet në burg në Ekuador, të tjerët janë në kërkim bashkë me Altin Hajrin dhe një person me inicialet K.G.