Administratori i klubit të futbollit Vllaznia, Suad Lici, njoftoi mëngjesin e sotëm policinë pasi rreth orës 9:00 gjeti poshtë makinës një pako, e cila i dha dyshimin se ishte eksploziv.
Mediat raportuan se pakoja ishte mbështjellë me ngjitëse dhe ishte hedhur poshtë pjesës së pasme të makinës. Lici, ish-futbollist i Vllaznisë, e kishte lënë veturën në lagjen Ahmet Haxhija në Shkodër. Zona është pranë stadiumit Loro Boriçi. Për ngjarjen Lici u shpreh:
“[…] Ndoshta lidhet me detyrën, nuk e di. Le t’ia lëmë organeve kompetente, nuk jam unë kompetent, skam konflikt më askënd […] Nuk kam pasur asnjë lloj problematike, kanë kërkuar njerëz sqarime, i kam sqaruar dhe kaq. Sqarime në lidhje me sportin. Unë kam plotësuar kërkesat e drejtuesve të klubit. Unë do të vazhdoj detyrën dhe sot do jem te ndeshja që do kemi. Ta lënë qytetin që të bëjë jetën e vet sportin. Do vazhdoj jetën time private. Jam njeri i lirë edhe pas kësaj ngjarjeje.”
Sipas BalkanWeb, Lici është kërcënuar edhe herë të tjera për shkak të detyrës si administrator i klubit, por ai nuk i ka denoncuar. Lici ka 2 vite si administrator i Vllaznisë. Detyrën e mori 1 muaj pasi Astrit Gjyrezin pati dhënë dorëheqjen në vitin 2018.
Sot Vllaznia ka 101 vjetorin e formimit të klubit, ndërkohë që pasdite, në orën 17:00 skuadra do të luajë në Durrës kundër Teutës.
Shkodra vazhdon të ketë probleme me rastet kriminale. Dy javët e fundit ka pasur dy raste me te shtëna me armë. Kryetarja e Bashkisë Voltana Ademi ka bërë apel që policia dhe shteti t’u japë siguri qytetarëve pasi ngjarjet e rënda kriminale po ndodhin mes qytetit ndërsa krimi nuk po dënohet.