Policia ka konfirmuar se pakoja e pikasur nga administrator i Vllaznisë Suad Lici poshtë makinës ishte me eksploziv.
Ora News raportoi se forcat xheniere kanë mundur ta largojnë eksplozivin. Shqiptarja.com shtoi se vetëm fati ka bërë që pakoja të mos shpërthejë pasi ekspertët kanë konstatuar se në momentin që autorët e kanë vendosur, fitili përcjellës është ndezur, por është djegur vetëm një pjesë dhe është fikur duke bërë që zjarri të mos depërtojë deri tek pjesa e mbështjellë me lëndë plasëse.
Lici ka 2 vite administrator i Vllaznisë. Detyrën e mori 1 muaj pasi Astrit Gjyrezin dha dorëheqjen në vitin 2018. Mediat thonë se ai ka qenë kërcënuar më parë, por nuk ka denoncuar.
Sot Vllaznia ka 101 vjetorin e formimit të klubit, ndërkohë që pasdite, në orën 17:00 skuadra do të luajë në Durrës kundër Teutës. Administratori Lici u shpreh se do ta vazhdonte detyrën,
Shkodra vazhdon të ketë probleme me rastet kriminale. Dy javët e fundit ka pasur dy raste me te shtëna me armë. Kryetarja e Bashkisë Voltana Ademi ka bërë apel që policia dhe shteti t’u japë siguri qytetarëve pasi ngjarjet e rënda kriminale po ndodhin mes qytetit ndërsa krimi nuk po dënohet.