I nderuar Zoti Sekretar
Para dy ditësh, në një debat Berisha-Rama në parlamentin e Shqipërisë, ata lanë të kuptohej se qëllimi i vizitës tuaj të sotme është problemi i muxhahidinëve ”të persekutuar” që ndodhen në Irak dhe duhet të strehohen në Shqipëri.
Me anë të kësaj letre do të doja t’ju vija në dukje se:
Vendimet në një republikë demokratike parlamentare merren nga populli, përmes deputetëve përfaqësues të tij. Por, populli dhe parlamenti i tij nuk janë njoftuar dhe nuk kanë diskutuar për qëllimin e vizitës suaj.
Në diskutimin në parlament, udhëheqësit tanë politikë Sali Berisha dhe Edi Rama përmendën shkarazi dhe shprehën miratimin e tyre për ardhjen e muxhahidinëve “të persekutuar”, që me sa duket nuk dëshiron t’i pranojë askush. Kaq thanë ata, asgjë më shumë.
Amerika demokratike nuk i merr kështu vendimet e saj. Nëse do të bëjmë një krahasim, aredhja e dy mijë muxhahedinëve në Shqipëri pa miratimin e parlamentit është njësoj sikur Amerika të pranonte rreth 3 milionë muxhahedinë pa miratimin e Kongresit. A mund të ndodhë një gjë e tillë në Amerikë?
Duket se për qeverinë amerikane parlamenti shqiptar është kukull, prandaj ajo nuk ka marrë mundimin të ndjekë proçedurën e rregullt demokratike, pra, informimin dhe miratimin nga populli shqiptar.
Ne, populli shqiaptar në fakt kërkojmë të informohemi. Sa muxhahidinë do të zbarkojnë në Shqipëri? Deri tani janë 753 të strehuar në Gërdec pa dijeninë e popullit.
Cili është aktiviteti i tyre? Ndërsa Berisha dhe Rama i prezantojnë si të persekutuar, mediat thonë se janë luftëtarë të armatosur. Burime të shumta thonë se ky grupim është një kult njerëzish të indoktrinaur, të gatshëm për të luftuar nën udhëheqësit e tij. Thonë që shumë anëtarë të këtij grupi janë terroristë që kanë vrarë.
Përse vijnë këta luftëtarë në Shqipëri? Sa kohë do të qëndrojnë? Përse asnjë shtet nuk do t’i pranojë? Kush do të paguajë për jetesën e tyre në Shqipëri?
Këto pyetje, në dukje të parëndësishme, janë shumë serioze nëse merret parasysh gjendja e vendit tim.
Ne jemi shumë të varfër dhe nuk kemi punë. Shqiptarët po emigrojnë vetë, në masë, çdo ditë, për t’i ikur varfërisë dhe papunësisë. Financat tona nuk mbajnë dot popullin tonë e jo muxhahedinët.
Zoti Kerry,
qeveria amerikane ndihmon shumë popuj që bëjnë luftë, por asnjë si populli im që lufton për të mbijetuar.
Përse nuk ndihmoni varfanjakët e këtij vendi që të mos braktisin atdheun e të kthehen? Koha kalon dhe kjo rrjedhje e popullsisë aktive vazhdon me pasoja tragjike. Familja dhe shoqëria investon për brezin e ri të punës dhe ai punësohet larg atdheut të tij. Që prej 25 vitesh ju tërhiqni gjakun e ri të Shqipërisë. Nëse vazhdon kështu, Shqipëria do të vdes si komb.
Ndërsa ne përpëlitemi midis jetës dhe vdekjes, midis urisë dhe pangopësisë së politikanëve tanë, ju vini dhe na kërkoni të kthehemi në bazë ushtarake të luftës së muxhahidinëve?
Përse përsëri ne? Përse kujtoheni gjithmonë për ne kur doni të realizoni qëllimet tuaja?
A janë demokratike këto ngjarje, Zoti Kerry, dhe mbi të gjitha a janë njerëzore?
Gjithmonë pyes, përse ju qeveritë demokratike e sakrifikuat këtë vend të bukur me potencial të lartë? Jam e sigurt se po të ndihmohej Shqipëria e viteve 1990 do të ishte shumë më e lehtë se të shkatërrohej, por ju zgjodhët si gjithmonë rrugën më të vështirë.
Me ardhjen e pinjolleve të SOROS në fuqi mendova se ky vend humbi përfundimisht, por paskam gabuar. Qëllimi i vizitës tuaj më tregon, se Shqipëria qenka akoma gjallë dhe vëllai i madh qënka akoma i shqetësuar, për pastërtinë e racës në këtë vënd.
Tani po na sillni Muxhahidinët. Ata nuk kanë vënd tek ne. Luftën e tyre le ta bëjnë në vendet e tyre.
Ne kemi shumë romë dhe të varfër rrugëve dhe qeveria jonë nuk i strehon dot në fshatrat, shkollat dhe fabrikat e braktisura, mendoni ju se do ta bëjë këtë më muxhahidinët? Do kujdesemi ne për ata, apo ata për ne? E vetmja gjë që dimë është se, ata ashtu si armët kimike vijnë nga lindja. Demontimi i muxhahidinëve në Shqipëri nuk është i drejtë dhe mos harroni Zoti sekretar i shtetit amerikan, se aprovimi i bërë nga dy figurat politike, Rama-Berisha nuk është aprovimi i popullit shqiptar, që si anëtar i NATOs është sovran i vendit të tij.
Lutem që qeveria juaj të reflektojë në këtë drejtim; lutem që populli im ta kuptojë dhe reagojë; lutem që këta qeveritarë të kuptojnë rrezikun ku po e cojnë Shqipërinë me papërgjegjshmërinë dhe deliret e tyre.
Me respekt
Mimoza Boçari