Mediat italiane kanë raportuar se dy persona kanë humbur jetën orët e fundit, si pasojë e prekjes nga koronavirusi, duke e çuar në gjashtë numrin total të viktimave.
Një prej tyre është një i moshuar 88-vjeçar në Lombardi, ndërsa për viktimën tjetër ende nuk ka informacion.
Deri tani të gjithë viktimat kanë qenë të moshuar.
Mëngjesin e sotëm dhe një 85-vjeçar humbi jetën në Bergamo, ndërsa viktimat e tjera ishin një në Veneto dhe dy në Lombardi—një burrë 78-vjeçar, një grua 75-vjeçare dhe një tjetër 70-vjeçare, por që vuante nga kanceri terminal.
Numri total i personave të prekur në Itali ka shkuar në 249, duke e bërë Italinë të tretin vend me më shumë të prekur jashtë Kinës, pas Koresë së Jugut dhe Japonisë.
Koronavirusi në Itali është shtrirë kryesisht në rajonin e Lombardisë, veçanërisht në zonën rreth Milanos, në rajonin e Venetos dhe në Emilia Romagna. Dy ditët e fundit raste të shkëputra janë identifikuar edhe në Lazio dhe Piemonto.
Pritet që rasti i të infektuarve të rritet në ditët e ardhshme, veçanërisht duke patur parasysh se nga infektimi deri në simptomat e dukshme kalojnë rreth 5-10 ditë.
Situata në Itali po quhet para-epidemike. Organizata Botërore e Shëndetit ka nisur një ekip ndihme në Itali me qëllim dallimin e nivelit të shpërndarjes së virusit dhe ndalimin e tij.
Qeveria italiane po ashtu ka nisur marrjen e masave për të parandaluar shpërhapjen massive.
Në Milano është pezulluar mësimi në shkolla e universitete, është pezulluar Java e Modës, ndërsa në Venecia janë pezulluar ditët e fundit të javë së Karnavales së famshme të Venecias.
Pas rritjes së numrit të të infektuarve në veriun e Italisë, masa emergjente ka marrë dhe Austria fqinje. Ajo ka pezulluar të gjithë trenat drejtë dhe nga Italia, pas dyshimeve se në një prej trenave të natës që vinte nga Italia ka pasur dy persona të dyshuar me koronavirus.
Deri tani në Austri nuk është shënuar asnjë rast i infektuar me koronavirus.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, pyetur nëse Shqipëria do të mbyllë kufirin me Italinë, tha se ende nuk ka ardhur momenti për të marrë këtë masë.
Deri tani si masë parandaluese, shteti shqiptar ka dyfishuar numrin e mjekëve në aeroport e pika kufitare dhe ka përshtatur ambiente të posaçme intervistimi për personat që vijnë nga shtetet me risk si Kina apo Italia.
Kontrolli i parë bëhet përmes një aparature për matjen e temperatures ndërsa më pas, në rast se personat shfaqin simptoma, ato merren në një ambient të veçantë për analiza të mëtejshme.
Exit News është konsultuar me disa specialistë të sëmundjeve infektive dhe të mushkërive dhe dëshiron të informojë lexuesit për disa nga rastet kur ata duhet të shqetësohen për mundësinë e prekjes nga koronavirusi. Për më tepër mund të lexoni këtu.