Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi sot në detyrë gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Irena Gjoka, pavarësisht problemeve me pasurinë.
Irena Gjoka është një prej tre gjyqtareve të trupës së gjykoi çështjen e ish-ministrit Saimir Tahiri.
Në shtator 2019, Gjoka bashkë me Ardit Mustafajn dhe Flora Hajredinajn, çliruan ish-Ministrin të Brendshëm Tahiri nga të gjitha akuzat e prokurorisë për trafik droge dhe e dënuan atë me 5 vite burg për shpërdorim detyre.
Vendimi për konfirmimin në deytrë të Gjokës u mor nga Roland Ilia, Genta Tafa dhe Valbona Sanxhaktarin.
Gjatë hetimit administrativ, KPK gjeti të paktën 3 raste kur gjyqtarja kishte bërë mosdeklarim ose kishte pasaktësi në deklarimin e pasurisë.
Gjyqtarja Gjoka kishte dhënë deklarime të ndryshme mbi burimin e parave për blerjen e një banese me vlerë 45 mijë euro, në deklaratën vjetore, në një kontroll të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë e Konfliktit të Interesave, ILDKPKI, në deklaratën veting dhe në pyetësorët e nisur nga KPK.
KPK po ashtu gjeti se gjyqtarja nuk kishte deklaruar pjesën që i takonte në apartamentin e prindërve në Patos. Sipas relatimit gjyqtares i takonte një e katërta e këtij apartamenti. Gjyqtarja e pranoi këtë mosdeklarim dhe tha se e kishte harruar.
KPK gjeti pasaktësi dhe në deklarimet e bashkëshortit të gjyqtares. Ai nuk kishte deklaruar marrjen pas të një shumë prej 1 milion lekësh të cilën ia kishte huazuar të bijës për të bërë studimet.
Këto para ishin deklaruar më pas për blerjen e dy garazheve, por KPK doli në përfundimin se mosdeklarimi i kësaj shume e nxirrte bashkëshortin me minus 500 mijë lekë të ardhura nga burimet e ligjshme në vitin 2011.
Po ashtu një tjetër mosdeklarim kishte të bënte me depozitimin e një shume prej 12 mijë eurosh në vitin 2007 në bankë.
Gjyqtarja Gjoka i justifikoi gabimet në deklarimin e pasurisë me mangësitë në mënyrën e kuptimit të ligjit në atë kohë dhe se nuk kishin qenë të qëllimshme për të fshehur pasurinë.
Pavarësisht këtyre probleme, KPK vendosi konfirmimin në detyrë të gjyqtares.