Para pak ditësh, Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj deklaroi, papritmas, se ka vendosur të ndërtojë një kënd lojrash për fëmijë në hapësirën brenda parkut të gjelbër të liqenit.
Menjëherë pas kësaj deklarate, ai urdhëroi rrethimin e zonës dhe prerjen e pemëve për të krijuar hapësirën për ndërtimin e këndit të lojrave.
Ndërkohë, Bashkia kishte zhvilluar më parë tenderin dhe kishte përzgjedhur bashkimin e kompanive Star-Tek, Riviera dhe Kaleshi për ndërtimin e këndit të lojrave. Sipas dokumenteve të tenderit investimi do të kushtojë rreth gjysëm milioni euro. Përveç këndit të lojrave, investimi do të përfshijë edhe ndërtimin e një lokali bar-restorant që do të jepet me konçesion për t’u shfrytëzuar nga ndonjë operator privat.
Por të gjitha këto proçedura janë zhvilluar në shkelje të hapur të ligjit dhe të interesave të publikut.
Së, pari projekti i këndit të lojrave është një projekt i pabazuar në asnjë plan zhvillimor dhe në asnjë plan të detajuar vendor, sikurse e kërkon ligji.
Ai nuk është parashikuar në planin aktual zhvillimor të Tiranës, i cili e parashikon atë në pjesën para pishinave, e cila tashmë do lirohet. Ndërkohë bashkia ka filluar hartimin e dy planeve të reja zhvillimore, një për Parkun e Liqenit dhe një për të gjithë territorin e bashkisë së re, por nuk ka pritur hartimin dhe miratimin e tyre, para se të ndërmarrë këtë investim.
Nga ana tjetër, për zonën e parkut ku do të ndërtohet këndi i lojrave nuk ka asnjë plan të pjesshëm apo të detajuar vendor.
Së dyti, vetë projekti i këndit të lojrave nuk ka marrë leje ndërtimi dhe nuk është miratuar asnjëherë formalisht. Projekti është hartuar nga dy studiot e zakonshme që përfitojnë kontrata qeveritare, Bolles+Wilson dhe Atelier 4, por ai nuk është shqyrtuar asnjëherë në Këshillin Kombëtar të Territorit, i cili ka juridiksionin mbi parkun e Tiranës.
Së treti, Bashkia nuk ka bërë asnjë konsultim me publikun për këtë ndërtim siç e kërkojnë të gjitha ligjet e vendit. Projekti është bërë në fshehtësi të plotë.
Së katërti, projekti që do të zbatojë bashkia është praktikisht urbanizim i parkut të liqenit, pasi ai përdor struktura të ngurta dhe hedh vulume të mëdha betoni, duke prishur harmoninë me natyrën dhe gjelbërimin, dhe duke e shndërruar atë pjesë të parkut në zonë urbane.
Së pesti, pjesë e projektit është edhe ngritja e një lokali pranë këndit të lojrave, i cili planifikohet të jepet me konçesion. Ky ndërtim në park është shkelje e statusit të parkut.
Se fundmi, prerja e pemëve nga Kryebashkiaku Veliaj është e paligjshme. Edhe pse ai u justifikua, dje, se pemët e prera ishin të sëmura, në fakt nuk ka asnjë studim të ndikimit në mjedis të këtyre pemëve dhe asnjë vendim që ato janë të sëmura nga ekspertët përkatës.