Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pritet të raportojë pasditen e sotme rreth takimit me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Presidenti i Kosovës pritet të flasë për këtë takim në një konferencë për shtyp dhe jo në seancë parlamentare.
Thaçi e Vuçiç u takuan të hënën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Kosovë takimi u konsiderua i pakoordinuar me qeverinë dhe parlamentin. Presidenti Thaçi kërkoi më pas që me t’u kthyer nga SHBA-të të raportonte në parlament rreth takimit.
Mirëpo kryeparlamentarja Vjosa Osmani u shpreh sot se Kuvendi do ta shqyrtojë kërkesën e Thaçit pas datës 9 mars.
Ajo e ka arsyetuar vendimin me procedurat, ku për mbajtjen e një seance Kuvendi duhet njoftuar disa ditë më përpara, si dhe me përfshirjen e deputetëve në aktivitetet për nderimin e Ushtrisë Çlirimatare të Kosovës.
Përpara kësaj deklarate të Osmanit, Thaçi ishte shprehur për mediat se:
“[…] është e drejtë e imja kushtetuese që t’i informoj deputetët. Por nëse një gjë e tillë më pamundësohet atëherë mundësia e vetme e imja si president i zgjedhur nga kuvendi, është që t’i drejtohem qytetarëve përmes konferencës për shtyp. Të përcillet se ajo se çka ka ndodhur në Uashington e vërteta e tërësishme e këtij procesi…”.