Në seancën e sotme parlamentare kanë vazhduar akuzat dhe propaganda e zakonshme politike. Sulmet kanë qënë kryesisht drejtuar opozitës dhe Presidentit Meta.
Taulant Balla akuzoi presidentin Ilir Meta se po përpiqet të pengojë habjen e bisedimeve me Shqipërisë dhe BE-së.
“Me lloj lloj letrash drejtuar presidentëve apo kryeministrave të vendeve anëtare të BE-së, Ilir Meta bashkë me ndonjë faktor tjetër të opozitës, dhe më vjen keq që PD përfundoi në shtojcë të Ilir Metës, ka një përpjekje për të dëmtuar sadopak vlerësimin që dha KE të hënën”.
Rudina Hajdari, deputete e opozitës parlamentare akuzoi se politikanët po krijojnë krizën e radhës për të mbrojtur veten dhe interesat e tyre.
“Pazarxhijntë e politikës sonë orkestrojnë krizën e radhës. Duke na turpëruar para partnerëve ndërkombëtarë. Luajnë ping pong me fatin tonë, që të mbrojnë interesat e tyre personale, që të mbrojnë veten e tyre. Duhet të kërkojmë largimin e tyre dhe t’i hapim rrugë vetes. Ajo që po bën sot politika i tejkalon përmasat e një krimi kombëtar”.
Ministri i Brendshëm Lleshaj mbrojti krijimin e paktës së re ligjore kundër krimit (Anti-KÇK). Ai mohoi akuzat se qeveria Rama me anë të Anti-KÇK, po krijon institucione paralele me institucionet e reja të drejtësisë.
“Ka vetëm një objektiv, shkatërrimin përfundimtar të krimit, qeveria nuk ka asgjë për të ndarë me krimin. Akti është parandalues, se ka patur keqkuptime të sponsorizuara për të krijuar idenë e institucioneve paralele. Akti është me natyrë administrative dhe parandaluese”.
Ministrja e arsimit Besa Shahini akuzoi opozitën se po politizon helmimin e fëmijëve në shkollën në Fier për të mbrojtur krimin.
“Fieri na shqetësoi të gjithëve, është bërë pre e një beteje politike pa bazë. Lufta anti-KCK i kishte nxitur aty një pjesë të madhe të vinin para shkollës, e me tej te spitali të politizonin një cështje që nuk ka fare lidhje”.