Prej 9 marsit Shqipëria është në hartën botërore të vendeve të prekura nga koronavirusi me të paktën 15 raste të raportuara, ku një prej të infektuarve ndërroi jetë sot.
Exit News sjell të përmbledhur raportimet që prej ditës së parë.
9 mars – 6 të infektuar
Mjekët diagnostikojnë 2 personat e parë me koronavirus në Shqipëri: babë e bir, 54 vjeç dhe 28 vjeç, rezident në Tiranë.
I riu, i konsideruar pacienti zero, mendohet të ketë infektuar babain pasi është kthyer nga Firence më 26 shkurt. Ai u kthye në Shqipëri duke udhëtuar me makinë nga kufiri me Malin e Zi në Murriqan, ku nuk u kontrollua.
Mjekët vunë në izolim të afërmit dhe nisën testimin e tyre nëse ishin infektuar edhe ata.
Në mbrëmje u diagnostikuan edhe 4 të tjerë, tre të afërm të pacientit zero dhe një 31-vjeçar, gjithashtu rezident në Tiranë, i cili nuk kishte lidhje me të infektuarit e parë.
10 mars – 10 të infektuar
Tre të afërm të tjerë të pacientit zero dhe një 73-vjeçare në Durrës diagnostikohen me koronavirus. E moshuara ishte kthyer nga Italia ku kishte vajtur për t’u mjekuar nga sëmundjet e zemrës.
Nga të infektuarit autoritetet thanë se vetëm 2 ishin të sëmurë dhe të shtruar në spital, ndërsa të tjerët po mbaheshin të izoluar.
11 mars – 15 të infektuar, prej të cilëve 1 viktimë
Mjekët diagnostikuan 5 raste të reja me koronavirus, katër që kishin pasur kontakt me pacientin zero dhe një 78-vjeçar në Lushnjë.
Në mesditë, pacientja 73-vjeçare në Durrës ndërroi jetë pak përpara se të dërgohej në Spitalin Infektiv në Tiranë.
Autoritetet thanë se 4 persona ishin të shtruar në spital, 10 të tjerë po mbaheshin në izolim, ndërsa rreth 104 të tjerë u është kërkuar të vetë-izolohen në shtëpi pasi nuk kanë shenja sëmundjeje.
12 mars – 23 të infektuar, 8 gjatë 24 orëve
Virusi përhapet edhe në qytete të tjera. Dy raste në Elbasan dhe një në Rrogozhinë.
13 mars– 33 të infektuar, 10 në 24 orë
Shkon në 6 numri i qyteteve me raste me koronavirus: Tirana (16 raste); Durrësi (5 raste, 1 viktimë); Fier (4 raste); Elbasan (2 raste); Rrogozhinë (2 raste) dhe Lushnjë (1 rast).
Konfirmohet rasti i parë i infektimit të një mjeku. Numri i të shtruarve në spitale shkon në 8 nga 4 që ishte një ditë më parë. Në vetëizolim 24 të tjerët e infektuar, ndërsa në vetëkarantinë 177 persona. Me 159 testime të reja, numri total shkoi në 457 analiza.
Për t’u informuar më tepër rreth koronavirusit mund të lexoni:
– 9 pyetjet më të shpeshta rreth koronavirusit (kliko këtu)
– Kur duhet të shqetësohemi për koronavirusin (kliko këtu)
– Kush dhe si duhet të vetë-karantinohet? (kliko këtu)
– Masa më e efektshme për parandalimin e prekjes nga koronavirusi (kliko këtu)
– Përse vazhdojnë të shfaqen viruse të reja në Kinë? (kliko këtu)
– Të gjitha masat e qeverisë për të ndaluar përhapjen e koronavirusit (kliko këtu)