Partia Demokratike i kërkoi sot qeverisë që në vend që të përdorë kompanitë celulare për të shpërndarë propagandë, t’i kërkojë atyre të ofrojnë internet falas për për të ndihmuar fëmijët që po mësojnë online në këto ditë izolimi.
Përmes një njoftim për shtyp, PD dënoi ndërhyrjen nga Edi Rama në mundësinë për komunikim normal të qytetarëve me telefon:
“PD ka marrë me mijëra ankesa dhe mesazhe nga qytetarët të shqetësuar për vonesa dhe anomali në lidhjet telefonike me familjarët apo miqtë, për shkak të një mesazhi pengues zanor personal të Edi Ramës, që i paraprin telefonatave të tyre.
Kompanitë celulare, në vend që t’i shërbejnë një individi dhe propagandës personale të tij, mund të luajnë një rol të dobishëm në këto momente kritike për bashkëqytetarët tanë.
Mijëra fëmijë janë duke marrë mësim online dhe kanë nevojë për internet. Shumica dërrmuese e familjeve shqiptare e kanë të pamundur të përballojnë faturën e internetit.
Një masë e dobishme nga kompanitë celulare është të mundësojnë internet falas gjatë krizës për të gjithë njerëzit në nevojë dhe për prindërit e fëmijëve në shkollë, duke siguruar akses të plotë në mësimin online.”
Që prej ditës së djeshme, kompania Vodofane ka detyruar abonentët e saj të dëgjojnë një mesazh audio të Kryeministrit Rama, me “këshilla” për t’u mbrojtur nga koronavirusi, para telefonatave thirrëse apo marrëse të tyre.
Sot, edhe mjekët, sidomos ata të spitalit infektiv në Tiranë që po përballojë fluksin kryesor të të sëmurëve me koronavirus, kanë kërkuar heqjen e mesazhit zanor, pasi po i pengon në punë gjatë së cilës duhet të bëjnë dhjetëra në mos qindra telefonata.