18 mjekë dhe infermierë në spitalin e Fierit, të cilët i kanë shërbyer 61-vjeçares së prekur me koronavirus, janë vetëkarantinuar.
Lajmin e konfirmoi sot Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico.
“Personeli mjekësor që i ka shërbyer pacientes aq kohë sa ka qenë në spital është vetëkarantinuar”, deklaroi zonja Fico.
Sipas gazetës Shqip, 61-vjeçarja është shtruar ditën e enjtë, më 12 mars, në spitalin e Fierit, për pneumoni. Ajo është kthyer nga Italia më 6 mars.
Aktualisht ajo ndodhet në terapi intensive në spitalin e infektivit në Tiranë.
Edhe 3 persona nga stafi mjekësor i spitalit të Beratit ndodhen në vetëkarantinë, pasi vizituan në shtëpi një paciente me probleme me frymëmarrjen, e cila nuk i tregoi se sapo ishte kthyer nga Italia.
Në spitalin e Durrësit një mjek u prek nga koronavirusi pasi i shërbeu për disa ditë 73-vjeçares me koronavirus, e cila humbi jetën 3 ditë më parë. Ajo nuk i kishte treguar mjekëve që sapo ishte kthyer nga Italia, duke vënë në rrezik të gjithë stafin mjekësor. Shumë infermierë dhe mjekë të spitalit të Durrësit po presin ende përgjigjet e analizave.