Dy persona të tjerë u diagnostikuan me koronavirus në Kosovë pasditën e sotme duke e çuar numrin e të infektuarve në 15.
Autoritetet shëndetësore në Kosovë njoftuan se një çift i sapo ardhur nga Anglia dolën të infektuar me sëmundjen Covid-19.
Çifti i 26-vjeçarëve, rezidentë në Prizren dhe Obliq, kishte qëndruar 2 javët e fundit në Londër dhe u kthye në Prishtinë sot me linjë direkte fulturimi nga Anglia.
Po sot në aeroportin Adem Jashari pati 479 udhëtarë që u kthyen, por të cilët nuk shfaqën shenja nga infektimi me koronavirus. Autoritetet pohuan se ata janë këshilluar të qëndrojnë të mbyllur për të paktën 14 ditë.
Prej datës 8 shkurt në Kosovë janë testuar për koronavirus 263 persona. I infektuari i parë me koronavirus u diagnostikua më 12 mars.
Në fundjavë numri i të infektuarve ishte 9. Mëngjesin e sotëm u raportua për 4 të infektuar të tjerë, ndërsa pasdite 2.
Deri më sot të infektuarit janë pikasur në 6 komuna: Prizren, Obiliq, Podujevë, Klinë, Malishevë dhe Viti.