Bashkimi Evropain për herë të parë i ka dhënë mundësi vendeve anëtare të shpenzojnë aq para sa u duhet dhe ka hequr kufizimet për defiçitin publik.
Vendimi u njoftua nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen si masë për të ndihmuar vendet e prekura nga koronavirusi.
Heqja e kufizimeve strikte i jep mundësi qeverive evropiane të derdhin aq para sa e shohin të nevojshme për të luftuar pandeminë.
Këto kufizime njihen si “Pakti i Stabilitetit dhe Rritjes” dhe synojnë ruajtjen e ekuillibrave financiare dhe të rritjen ekonomike të BE-së.
Me këtë vendim të paprecendentë për ta pezulluar paktin, vendet anëtare nuk do të kufizohen më nga BE-ja sesa mund të shpenzojnë në në masa të tilla si blerje pajisjesh mjekësore, masa për msopërhapjen e pandemisë, zgjerimin e spitaleve, ndihmën ndaj bizneseve etj.
Ky vendim do të mirëpritet në shumë vende. Italia, Franca dhe Belgjika kishin lajmëruar tashmë se do të shpenzojnë shumë të jashtëzakonshme kundër pandemisë. Italia, psh., njoftoi një plan për të shpenzuar 25 miliardë euro.
Banka Qendrore Evropiane lajmëroi se do të japë 750 miliardë euro për të siguruar siguruar tregjet, si dhe i lejoi bankat të japin hua një shtesë prej 1.8 trilionë eurosh.
Ministrat e Financave të BE-së do ta miratojnë vendimin e Komisionit për pezullimin e kufizimeve javën e ardhshme.
Pakti i Stabilitetit dhe Rritjes u krijua në 1997 dhe u rinovua në 2011 për të përballur krizën e borxhit. Rregullat për borxhin dhe deficitin u forcuan në një përpjekje për të ruajtur euron nga krizat e ardhshme.
Praktikisht, pakti e kufizon deficitin e një vendi deri në 3 përqind të prodhimit të brendshëm bruto dhe borxhin deri në 60 përqind – një shifër që Italia e ka gati trefishuar vitet e fundit.