Organizata Botërore e Shëndetit thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të kthehet në epiqendrën e re të shpërthimit të koronavirusit.
Sipas medias amerikave Vox, më 24 mars, një e treta e të infektuarve të rinj me koronavirus ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zëdhënësja e OBSH-së, Margaret Harris u tha gazetarëve të martën në mëngjes se 85 përqind e rasteve të reja të konfirmuara të Covid-19, ishin në Shtetet e Bashkuara ose Evropë. Dhe 40 përqind e këtyre rasteve ishin në SHBA.
Edhe pse Presidenti Donald Trump ka filluar marrjen e masave dhe ka këshilluar distancimin social, punën nga shtëpia dhe karantinimin e më shumë se 160 milionë banorëve, OBSH paralajmëroi se përhapja është shumë e shpejtë dhe SHBA me shumë gjasa do të jetë epiqendra e re e pandemisë globale.
Sipas databazës së Universitetit Johns Hopkins, deri tani 25 mars, në SHBA ka 55 225 të prekur me koronavirus dhe 802 viktima.
Një arsye përse numri i të infektuarve është rritur shumë është dhe testimi në masë të madhe që SHBA-të po bëjnë. Por sërish, numri real i të prekurve vlerësohet se është shumë më i lartë.
Rasti i parë me koronavirus në SHBA u raportua më 20 janar dhe deri në 17 mars u shënuan 100 vdekje. Më pas gjatë javës së fundit, 17-24 mars, numri i viktimave u 8 fishua dhe vetëm të hënën, 23 mars, u raportuan 100 vdekje.
Deri më tani, Evropa po konsiderohet epiqendra e virusit, me Italinë si burimin kryesor si të rasteve të reja ashtu edhe të vdekjeve. Vdekjet në vend kanë filluar të ngadalësohen atje kohët e fundit, ndërkohë që situate po përkeqësohet në Spanjë.
Sot Kongresi amerikan dhe presidentin Trump miratuan paketën më të madhe financiare në historinë e botës për nxitjen e ekonomisë: 2 trilionë dollarë.
Qëllimi i kësaj pakete është kthimi i ekonomisë amerikane në punë me kapacitet normal brenda 12 prillit.
Për të lexuar më shumë për paketën financiare të SHBA-ve klikoni këtu.