Në Itali, të mërkurën, vdiqën 683 persona me koronavirus, duke e çuar bilancin total në 7 503 viktima, megjithatë sinjale shprese po tregojnë të dhënat e përgjithshme ku për të katërtën ditë radhazi pati rënie të rasteve të reja me të infektuar.
Deri më sot janë testuar 324 445 persona, prej së cilëve 74 386 janë diagnostikuar me Covid-19. Nga këta, 9 362 janë shëruar ndërsa 7 503 kanë vdekur.
Ditët e fundit ka pasur luhatje të shifrave ditore për sa i përket viktimave, ndërsa numri i rasteve të reja me të infektuar ka ardhur duke u ulur – 3 957 të dielën, 3 780 të hënën, 3 612 të martën dhe 3 491 të mërkurën.
Paralelisht të shëruarit po shtohen, ku vetëm sot janë raportuar 1036 pacientë të shëruar – të martën u raportuan për 894 të shëruar.
Italia ka numrin më të lartë të viktimave në gjithë botën, edhe pse vazhdon të ketë rreth 10 mijë të infektuar më pak se Kina.
Në total në gjithë botën të infektuarit me Covid-19 janë rreth 450 mijë, nga të cilët 113 mijë janë shëruar dhe rreth 21 mijë kanë vdekur.