Kryeministri Rama paraqiti më 19 mars një sërë masash financiare për të përballuar krizën nga koronavirusi dhe pasojat shoqërore dhe ekonomike të saj.
Për bizneset e vogla, qeveria ka parashikuar financim të drejtpërdrejtë për ditët e munguara të punës, bazuar në rregjistrat shtetëror.
Punonjësit e bizneseve të vogla dhe të vetëpunësuarit mund të përfitojnë 26,000 lekë në muaj nëse aktiviteti i tyre është mbyllur për shkak të masave kundër koronavirusit.
Vendimi i Këshillit të Ministrave hyri në fuqi ditën e dielë, 29 mars, dhe efekti i saj do të zgjasë për tre muaj.
Kush përfiton?
Përfitues të kësaj ndihme financiare janë të gjithë bizneset e vogla me xhiro deri në 14 milion lekë në vit, që paguajnë tatim mbi fitimin (ose tatimin e thjeshtuar mbi fitimin). Këtu përfshihen të vetëpunësuarit, personat fizikë tregtarë dhe punonjësit e papaguar të familjes së tyre, si dhe personat juridikë.
Pagesat do të bëhen sipas listës së punonjësve të deklaruar nga biznesi. Për ato që i deklarojnë punonjësit çdo tre muaj, do të konsiderohet listëpagesa e tremujorit të fundit të 2019-ës. Ndërsa për bizneset që këtë deklarim e bëjnë çdo muaj, do të merret për bazë listëpagesa e janarit 2020.
Punonjësit që janë të regjistruar në më shumë se një punë do të përfitojnë vetëm një pagë minimale.
Si bëhet aplikimi?
Aplikimin e bën biznesi në mënyrë elektronike në faqen web të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ku plotëson të dhënat e biznesit dhe ato të punonjësve që do përfitojnë pagën në formularin e caktuar.
Brenda 10 ditëve të muajit pasardhës, drejtoritë rajonale tatimore do të bëjnë verifikimin e dokumentave dhe verifikimin në terren. Më pas Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do t’i dërgojë listën e individëve përfitues Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit e cila kryen pagesat.