Basha përshendet vendimin e qeverisë për anullimin e tenderave

Nga Exit News
Basha përshendet vendimin e qeverisë për anullimin e tenderave

Lulzim Basha, kryetari i opozitës e quajti të pafalshme faktin se paketa e qeverisë për mbështetjen sociale dhe ekonomike “është vetëm sa një e treta (1/3) e paketës së Kosovës”.

Ai përshendeti vendimin e qeverisë për të ndaluar dhe bllokuar çdo tender që nuk ka lidhje me situatën e emergjecës së koronavirusit. Por, Zoti Basha tha se kjo masë e marrë me vonesë është propozim i Partisë Demokratike që prej dy javësh:

“Ndonëse i vonuar, duke përshëndetur këtë hap, i cili nëse zbatohet ashtu siç është shpallur do t’u kursejë shqiptarëve afro 200 milionë euro të tyret, të cilat ishin planifikaur për të tenderuar dhe për një pjesë të madhe tenderat kishin filluar.

Kërkesa e opozitës që mori mbështetjen e shumicës së shqiptarëve sot është kthyer në një njoftim të Agjencisë së Prokurimeve Publike dhe thirrja ime është që të kthehet menjëherë në një vendim qeveritar”.

Kryeopozitari tha se anullimi i tenderave kursen 200 milionë euro. Ai, gjithashtu i bëri thirrje mediave të monitorojnë tenderat.

“Anullimi i tenderave duhet të shoqërohet me anullimin e konçesioneve dhe pagesat për partneritete publike-private. Ministri Arben Ahmetaj dhe Klodian Zoto duhet të dorëzojnë kontratat që u kushtojnë shqiptarëve më shumë se 400 milion euro të incineratorëve dhe ky do të jetë kontributi personal i zotit Ahmetaj dhe i zotit Klodian Zoto që gropa mos të jetë kaq e thellë.

As shqiptarët dhe as Shqipëria nuk e kanë luksin të shpenzojnë miliona euro me koncensione, me PPP apo me tendera korruptivë të panevojshëm. Sot që flasim, shumica dërmuese e familjeve shqiptare po përballen me vështirësi të mëdha, vështirësi në kufijtë e mbijetesës, pa paga dhe pa të ardhura. Ndërkohë që bizneset janë lënë pa asnjë mbështetje dhe nën presionin sesi do të mund t’i kthejnë sado pak në gjendjen normale”, shtoi Zoti Basha.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>