Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi të mërkurën zgjatjen pa afat të masave për kufizimin e përhapjes së koronavirusit.
“[…] nga sot shtyhen pa afat urdhrat për masat ndaluese […] qëndrojnë të mbyllura deri në përfundimin e epidemisë: çerdhet, kopshtet dhe shkollat […] baret, restorantet, lokalet, fast-food-et dhe strukturat akomoduese që ofrojnë shërbim për klientët.”
Mësimi në shkolla, i shtyrë fillimisht deri më 23 mars, me një vendim të dytë u shty sërish më 3 prill, por duket se situata me epideminë nuk e garanton dot shëndetin e fëmijëve.
Po kështu shëndeti nuk garantohet as për grumbullimet në aktivitete të ndryshme sociale, politike e sportive. Prandaj ato do të jenë të ndaluara deri në përfundim të epidemisë.
Ministrja Manastirliu njoftoi se edhe ndërhyrjet e planifikuara kirurgjikale nuk do të rinisin më tej deri në një urdhër të dytë.
Rreth 64 mijë familjeve që ndihmohen ekonomikisht do t’u sigurohet pagesa përmes aplikimeve online me postë ose komunikimit me telefon. Manastirliu tha se ka urdhëruar administratën që:
“të kryejnë aplikimet për ndihmë ekonomike duke mundësuar ata vetë kontaktin elektronik ose me telefon për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë aplikuesve për përfitimin e ndihmës ekonomike.”
Qeveria është zotuar të paguajë dyfishin e pagesës së ndihmës ekonomike, ndërsa për personat me aftësi të kufizuara, pagesat do të vazhdojnë pa ndërprerje dhe rikomisionimet e aftësive të tyre do të zhvillohen pasi të kalohet gjendja e fatkeqësisë natyrore.
Prej 9 marsit Shqipëria është nën epideminë e koronavirusit. Të mërkurën u raportua se 259 persona janë infektuar, prej të cilëve 67 janë shëruar dhe 15 kanë vdekur.