Cilit interesi të mundshëm amerikan i shërben diplomacia e tanishme e administratës Tramp që gjatë një pandemie globale po destabilizon Kosovën, një vend pro-amerikan të vogël dhe të brishtë?
Dhe pse do ta bënte këtë ekipi i Trampit, pasi SHBA-të e ndaluan me forcë Serbinë nga kryerja e genocidit në Kosovë më 1999?
Kjo ngjall kureshtje të veçantë, po të mbajmë parasysh se SHBA-të ishin aktori kryesor në sigurimin e pavarësisë për Kosovën, dhe se prej atëherë Kosova ka qenë vendi më pro-amerikan në Evropë.
E megjithatë, diplomacia aktuale amerikane sot favorizon Serbinë, aleatin më të afërt të Rusisë në rajon.
I dërguari i Trampit, Riçard Grenell, i ka bërë presion Kosovës të pranojë kërkesat e Serbisë si pjesë e “negociatave” për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve.
Grenelli udhëheq përpjekjen e tanishme diplomatike të SHBA-ve në Kosovë; ai mban gjithashtu postet e Ambasadorit të SHBA-ve në Gjermani dhe është ushtrues i detyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare.
Kjo është një mori absurde postesh për dikë me përvojë të kufizuar diplomatike dhe pa përvojë fare në fushën e shërbimeve të inteligjencës.
Sipas raportimeve, Grenelli ka qenë dështim i vërtetë si ambasador në Gjermani, nëse si standard të vlerësimit do të mbanim marrëdhënien e bashkëpunimit me vendin që është, ndoshta, aleati më i rëndësishëm demokratik i Amerikës në Evropë. Zyrtarët gjermanë mezi presin që Grenelli të largohet.
Ambasadorja amerikane në OKB, Suzan Rajs, e ka quajtur Grenellin “një nga njerëzit më të këqij, më të pandershëm që kam hasur ndonjëherë.”
Serbia sot udhëhiqet nga Presidenti Aleksandar Vuçiç, një nacionalist serb që po përdor urrejtjen etnike si mjet politik për të fituar mbështetjen politike në Serbi — ashtu siç bëri Sllobodan Millosheviçi në vitet 1990-të.
Sot, liderët serbë në Beograd vazhdojnë të nxisin ndarjen dhe armiqësinë në Bosnjë dhe Kosovë. Vladimir Putini e ndihmon me kënaqësi Beogradin në çdo gjë që shkatërron unitetin e Evropës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara.
Ajo që Trampi dhe Grenelli janë duke bërë tani në Kosovë shënon një shkëputje rrënjësore nga politikat e suksesshme amerikane në rajon.
Një parim amerikan që solli paqe në rajon deri në vitin 2008 ishte koncepti se kufijtë ishin të pandryshueshëm dhe se zgjidhjet politike duhet të gjenden brenda kufijve të kombeve të caktuara.
Marrëveshja e Ohrit, që parandaloi luftën në Maqedoni, thotë qartë se “nuk ka zgjidhje territoriale për çështjet etnike”. Të drejtat, jo territori, janë zgjidhja për këto probleme.
Në krye të një koalicioni të fuqishëm partnerësh ndërkombëtarë, mes viteve 1995 dhe 2008, SHBA-të përdorën diplomacinë dhe forcën ushtarake për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Bosnjë, për të ndaluar një katastrofë tjetër brutale humanitare në Kosovë dhe për të parandaluar një luftë civile në Maqedoni, përgjatë shpërbërjes s ëish-Jugosllavisë. Përpjekjet e udhëhequra nga amerikanët në ish-Jugosllavi ishin një sukses i madh i politikës së jashtme amerikane në periudhën e hershme pas-Sovjetike.
Kosova është sot një vend sovran demokratik, i njohur nga 97 shtete. Por Serbia ka përdorur ndikimin e saj për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare. Si reagim, Kosova vendosi një tarifë 100 për qind për mallrat serbe që hyjnë në vend. Grenelli i ka bërë presion Kosovës t’i heqë tarifat që negociatat e ngecura të rinisin.
Duke qenë se sanksionet dhe tarifat ndërkombëtare janë politikat e preferuara të administratës Tramp, kundërshtimi i Trampit ndaj tarifave të ligjshme të Kosovës për importet, si e drejtë e saj ndërkombëtare, është më shumë se ironik.
Për t’i bërë presion Prishtinës për të hequr tarifat, SHBA-të pezulluan ndihma shumë të nevojshme për Kosovën. Disa zyrtarë në Uashington madje ngritën mundësinë e largimit së kontigjentit të vogël të trupave amerikane nga Kosova, të cilët kanë qenë jashtëzakonisht të rëndësishëm për sigurinë e Ballkanit që nga viti 1999.
Ky ishte një faktor kryesor që bëri që qeveria e Kosovës e kryeministrit Albin Kurti të rrëzohej teksa virusi COVID-19 përhapej në rajon. Kosova tani drejtohet nga një një qeveri e dobët kujdestare.
Grenelli duket se preferon qëndrimet e politikanit të vjetër kosovar, aktualisht president, Hashim Thaçi, i cili ka qenë në favor të një marrëveshjeje me Beogradin, madje që të përfshinte edhe shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Beogradit.
Në një bisedë personale në Uashington me të, më shumë se një vit më parë, e pata këshilluar Thaçin se marrëveshja për shkëmbimin e territoreve ishte një rreng serb, që nuk do të shpinte askund, dhe se në negociatat me Beogradin ai nuk mund t’i besonte administratës Tramp. Nuk m’i ka marrë parasysh këshillat.
Shumë pikëpyetje e rrethojnë misionin e Grenellit në Kosovë.
Pse u dashka që një person me përvojë kaq të kufizuar dhe me një portofol kaq të rëndëishëm detyrash në vendin e tij të merret me negociatat mes dy kundrshtarëve të dobët ballkanas? Pse po mban Grenelli një qëndrim pro-serb në bisedime? Pse SHBA-të po destabilizojnë një vend pro-amerikan në një kohë kaq të ndjeshme?
Diçka mban erë këtu.
Si një luftëtar entuziast i dhënë pas Trampit, Grenelli mund të jetë thjesht duke u përpjekur me gjithë forcat për të kënaqur shefin e vet.
Por dyshoj se këtu bëhet fjalë për diçka më shqetësuese, veçanërisht pas dyshimeve të thella që më mbeten për marrëdhënien mes Trampit dhe Vladimit Putinit. Unë dyshoj — pa pasur prova — se Putini i ka paraqitur Trampit pikëpamjet e tij pro-serbe, i ka theksuar se shqiptarët janë muslimanë dhe më pas i ka kërkuar Trampit ndihmë për negociatat.
Ashtu si me emërimet e tjera të keqpeshuara, Trampi bëri shërbëtorin e tij besnik, agresivin dhe antagonistin Grenell, njeriun kyç në Kosovë.
Kjo do të ishte një dhuratë e fituar lehtë për Putinin, i cili kënaqet kur shkakton telashe të çfarëdollojshme në Evropë.
Të fusësh në ish-Jugosllavi diplomacinë e frymëzuar nga Trampi është si të lësh një fëmijë dyvjeçar të luajë me një qiri të ndezur pranë mullarit me kashtë.
Misioni i Grenellit në Kosovë rrezikon të sjellë paqëndrueshmëri në Ballkan dhe nuk i shërben interesit kombëtar amerikan.
Politika e tanishme e SHBA-ve për Kosovën mund të përkufizohet në rastin më të mirë si paaftësi diplomatike, por me shumë gjasa si abuzim.
Teksa COVID-19 po bën kërrdinë nëpër Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, Grenelli nuk duhet të hallakatet në Ballkan, për të cilin i mungojnë njohuritë, përvoja dhe aftësia diplomatike për ta përmirësuar situatën.
Përkundrazi, SHBA-ve u duhet të promovojnë një qeveri të qëndrueshme në Kosovë për të përballuar krizën e shëndetit publik.
Marrëdhënia Kosovë-Serbi është një problem afatgjatë, që meriton vëmendje serioze, profesionale diplomatike, dhe jo një politikë të njëanshme e të pamenduar mirë, që shkon në interes të Serbisë dhe Rusisë.
_________
James W. Pardew është ish-ambasador i SHBA-ve në Bullgari dhe oficer karriere i shërbimit të inteligjencës ushtarake. Ai ka shërbyer si zëvendës-ndihmës-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe është autor i librit “Pajtuesit: Udhëheqja Amerikane dhe Fundi i Gjenocidit në Ballkan”.
Ky artikull u botua në gjuhën angleze në The Hill. Përkthimi dhe titulli nga Exit News.