Fëmijët e varfër po humbin shkollën: familjet nuk kanë para për internet

Nga Alice Elizabeth Taylor
Fëmijët e varfër po humbin shkollën: familjet nuk kanë para për internet

Fëmijët e 153 mijë familjeve nuk mund të ndjekin dot mësimin online gjatë karantinimit për shkak të mungesës internetit.

Sipas CRCA, një organizatë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe Koalicionit shqiptar për Edukimin, Ministria e Arsimit po shkel të drejtën për arsim cilësor dhe të barabartë për të gjithë fëmijët në vend. Mungesa e internetit dhe e platformave dixhitale, bën që fëmijët të mos ndjekin dot mësimin e shkollës fillore apo 9-vjeçare.

Që prej fillimit të marsit të gjitha shkollat në vend u mbyllën dhe nxënësit ndjekin mësimin nëpërmjet platformave dixhitale si Zoom ose përmes televizorit. Rreth 500 mijë studentë janë duke vazhduar arsimimin e tyre nëpërmjet mësimit në distancë.

Organizatat theksuan se fëmijët në familje me të ardhura të pakta, nuk përfitojnë nga kjo mënyrë edukimi, duke krijuar kështu diferenca midis fëmijëve të pasur dhe të varfër. Ato pohuan se qeveria duhet të kishte gjetur zgjidhje.

CRCA pohoi se ka marrë një numër të konsiderueshëm ankesash nga familjet në zonat rurale dhe urbane, të cilët nuk përballojnë dot tarifën e internetit. Ata e kanë të pamundur të mbajnë kontakt me mësuesit, të marrin dhe dorëzojnë detyrat dhe të përfitojnë nga mësimi si shokët e tyre.

“E drejta për arsimim është një e drejtë themelore. Kushtetuta dhe Ligji për arsimin parauniversitar garantojnë barazinë e fëmijëve në arsim cilësor pa u diskriminuar. Kjo mbrojtje ligjore për të drejtën për arsimim të fëmijës shtrihet në çdo vend ku jeton fëmija, kur jemi para kufizimeve të vendosura nga qeveria. Në këtë kontekst, është detyrimi i qeverisë për të garantuar për çdo fëmijë, jo vetëm hyrjen në internet, por edhe me pajisjen mjete kompjuterike (telefon / tablet / kompjuter) që bën të mundur që arsimi të vazhdojë në kushte të izolimit në shtëpi,” shkruhet në letrën dërguar qeverisë.

Organizatat i bënë thirrje qeverisë që të marrë menjëherë të gjitha masat e nevojshme për të ndaluar këtë “shkelje flagrante” të të drejtës së fëmijëve për arsim. Ata kërkojnë që të gjithë fëmijëve t’u sigurohen mjetet e nevojshme teknologjike dhe lidhja në internet për të mundësuar mësimin në distancë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>