Italia mund të largohet nga Bashkimi Europian, në rast se kjo e fundit nuk e ndihmon në përballimin e krizës së Covid-19 dhe gjithë pasojave të saj.
Kryeministri italian Giuseppe Conte, në një intervistë për gazetën gjermane Bild, tha se në rast se BE nuk ndihmon, atëherë nuk ka më ëndërr të përbashkët europiane:
“Është në interesin reciprok që Evropa të marrë një hap, kjo varet nga sfidat, përndryshe ne duhet të braktisim absolutisht ëndrrën evropiane dhe të themi secili është për veten e tij.
Evropa duhet të përgjigjet pa ‘nëse’ dhe pa ‘por’, përndryshe qytetarët do të zhgënjehen.”
Kryeministri Italian u shpreh se italianëve i ka vdekur besimi tek BE, e cila në mes të kësaj krize të paprecendtë më parë, shëndetësore, sociale dhe ekonomike, po i lë ende në pritje:
“Nuk mund të qëndrojmë duarkryq deri në fund: durimi me Europën ka vdekur.”
Ai tha se Italia po fiton një përvojë të madhe kundër Covid-19 dhe nëse arrin të tejkalojë fazën kritike brenda vendit, do të mund të ndihmojnë dhe vendet e tjera.
Sistemi shëndetësor italian është “shumë efikas dhe kompleks, por është e qartë se një emergjencë e tillë kaq e përqëndruar dhe e shpejtë i ka dhënë tendosje sistemit.
Sipas Contes, Italia tani ndodhet në fazën e dytë të luftës kundër Covid-19: rregullimi i jetës sociale dhe ekonomike në një mënyrë absolutisht të ndryshme, të bëhen gati të jetojnë me virusin, të vetëdijshëm se vaksina nuk do të jetë gati edhe për disa muaj.
Deri më tani, Italisë i është dashur të përballet e vetme me katastrofën sociale dhe ekonomike të Covid-19.
Kina, Shqipëria dhe Gjermania kanë qenë të vetmet shtete që kanë ndihmuar Italinë duke ndihmuar me staf mjekësor.