Autoritetet shëndetësore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës parashikojnë se pas muajit prill situata e pandemisë mund të qetësohet disi dhe kjo mund të sjellë lehtësimin e masave kufizuese.
Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive në SHBA, tha të dielën se është e mundur që disa shtete të SHBA-ve të rihapin aktivitetet “mundësisht në muajin maj“.
Megjithatë Fauci pohoi se pas kufizimit të epidemisë ka gjithmonë rrezik që infeksioni i Covid-19 të shpërthejë sërish dhe kjo mund të ndikojë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Në SHBA, pjesa dërrmuese e shteteve kanë shpallur gjendjen e emergjencës duke kufizuar lëvizjet dhe aktivitetet, kjo si mënyrë për të ndalur përhapjen e epidemisë së koronavirusit.
Deri të dielën, 12 prill, SHBA-të raportuan mbi 530 mijë persona të infektuar me Covid-19, prej të cilëve mbi 20 mijë kishin vdekur.