Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir ka kritikuar autoritetet në Kosovë për presion ndaj KoSSev, një portal lajmesh online me qendër në Mitrovicën e Veriut.
Në një deklaratë për shtyp, Desir shprehu shqetësimin e tij në lidhje me dy incidente kundër portalit dhe anëtarëve të stafit.
Më 11 prill, policia arrestoi kryeredaktoren, Tatjana Lazarevic për gjoja shkelje të shtetrrethimit. Gazetarja ishte në rrugë për të raportuar mbi situatën në një qendër lokale shëndetësore kur u kap nga autoritetet. Pavarësisht se prezantoi kartën e saj të medias, ajo u mbajt në paraburgim dhe dyshohet se tani po përballet me kallëzime penale.
Më parë, më 9 prill, Shefi i Shtabit të Krizave në Veri të Mitrovicës, Aleksandar Spiric kritikoi portalin për transmetimin si të drejtëpërdrejtë të një konference për shtyp që kishte ndodhur një ditë më parë. Ai i kërkoi KoSSev të mos shkaktojë paqëndrueshmëri duke bërë pyetje politike dhe u kërkoi atyre të ndihmojnë autoritetet në luftën kundër pandemisë COVID-19.
Në përgjigje të incidenteve, Desir tha:
“Unë jam i shqetësuar për arrestimin e Tatjana Lazarević dhe se si autoritetet lokale në Mitrovicën e Veriut po e trajtojnë punën e portalit KoSSev.
Gazetarët luajnë rol kryesor gjatë kësaj krize shëndetësore duke siguruar informacion jetësor për publikun. Qasja në informacion dhe një mjedis i lirë pune janë thelbësore dhe duhet të sigurohen në çdo kohë.”
Ai shtoi se çdo lloj presioni ndaj gazetarëve ka pasoja të menjëhershme, jo vetëm mbi ta, por edhe mbi të drejtën e publikut për t’u informuar.