Qeveria amerikane ka paraqitur sot planin për rihapjen e ekonomisë. Kushti për rihapjen e ekonomisë është se “çdo shtet në SHBA do të mund të hapet vetëm pasi të ketë rritur kapacitet në spitale, dhe të ketë forcuar sistemin e testimit për punonjësit e sistemit shëndetësor”, sqaron udhëzuesi i publikuar nga Ëashington Post.
Pasi të kenë plotësuar këto kërkesa, shtetet do të hapen sipas këtij udhëzuesi:
Faza e parë
Do të lejohen të dalin qytetarët e shëndetshëm.
Bizneset duhet të vazhdojnë të inkurajojnë punën online nga shtëpia, kur kjo është e mundur. Ata duhet të kthejnë punonjësit në punë me faza.
Palestrat mund të hapen, vetëm nëse zbatojnë protokollin e distancimit social dhe të higjenës
Bizneset duhet të mbyllin mjediset e përbashkëta, ku mund të mblidhen dhe të ndërveprojnë punonjësit.
Ndalohen të dalin nga shtëpia ose të shkojnë në punë individët e sëmurë dhe të moshuarit.
Ndalohen grumbullimet në park në më shumë se 10 persona. Duhet të minimizohen udhëtimet jo të domosdoshme.
Nuk do të hapen shkollat, kopshtet, shtëpitë e të moshuarve, teatrot, kinematë, operacionet kirurgjikale të panevojshme, baret.
Faza e dytë:
Lejohen grumbullimet deri në 50 persona në parqe dhe në zonat recreative. Mund të nisin udhëtimet jo të domosdoshme.
Bizneset duhet të vazhdojnë, kush të mundet me punën online. Ata mund të hapin zonat e përbashkëta, ku mund të kalojnë kohë punonjësit, duke ruajtur distancimin social.
Mund të hapen shkollat, kopshtet, teatrot dhe kinematë nën rregulla strikte të distancimit social. Mund të hapen baret duke kufizuar numrin e klientëve brenda në ambjent.
Faza e tretë:
Mund të dalin të gjithë qytetarët përfshirë ato me sëmundje kronike dhe të moshuarit. Do të vazhdojë kufizimi i grumbullimeve të njerëzve në mjediset publike.
Të gjithë bizneset mund të punojnë normalisht. Baret mund të rrisin numrin e personave që qendrojnë brenda.