Ndalimi i qarkullimit nga pasditja e së premtes deri mëngjesin e të hënës, ka bërë që mijëra qytetarë të mbipopullojnë paraditen e të premtes tregjet e fruta-perimeve.
Në tregjet e Kamzës, Elbasanit e Tiranës, shumica e qytetarëve nuk kanë respektuar distancat fizike, në nxitim e sipër për të përfunduar pazaret.
Në Shkodër, Vlorë e Krujë, pas mbylljes së tregjeve kryesore, edhe më shumë qytetarë janë grumbulluar në ato pak tregje që kanë mbetur të hapura.
Megjithëse forcat e policisë kanë qenë të shumta, ato nuk kanë mundur të sigurojnë zbatimin e masave të distancimit social mes qytetarëve.
Kryebashkiaku i Kamzës Rakip Suli deklaroi më 17 prill, se bashkia do të vendosë javën e ardhshme tunele dezinfektimi përpara hyrjes në treg, ngjashëm me atë të vendosur në tregun e Kombinatit.
Kujtojmë se nga ora 17:30 e të premtes deri në orën 05:00 të së hënës nuk do të lejohet qarkullimi i qytetarëve për asnjë arsye.