Bllokimi i medium.com, kambanë alarmi për shoqërinë shqiptare

Nga Ariel Apostoli
Bllokimi i medium.com, kambanë alarmi për shoqërinë shqiptare

Bllokimi i medium.com nga AKEP (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare) përbën një precedent të rrezikshëm, i cili lehtëson në thellimin e pandjeshmërisë dhe apatisë qytetare ndaj censurës mediatike. Një media e lirë (dhe si rrjedhojë, liria për tu informuar lehtësisht) është një shtyllë thelbësore e një shoqërie demokratike.

Fatkeqësisht, megjithëse jetoj larg, vë re me shqetësim një prirje në Shqipëri të strukturave përkatëse për të mbi-përdorur ligjin mbi të drejtën e autorit duke penguar apo mbyllur faqe dhe llogari që kanë si qëllim kryesor, në mirëbesim, informimin e publikut dhe jo thyerjen e këtij ligji.

Në dallim nga një censurë për arsye politike, jam mëse i bindur se në këtë rast kryefjala janë padituria dhe paaftësia e AKEP: padituri në formën e mosnjohjes së domain-eve më të rëndësishme në botë (medium.com është një prej tyre) dhe paaftësi në formën e bllokimin të të gjithë domain-it përkundrejt faqeve të caktuara në atë domain.

Pavarësisht se nuk kam evidencë që AKEP të ketë vepruar me dashakeqësi,  shoqëria civile shqiptare nuk mund të rri duarkryq, nën terrin e injorancës që po shuan mjete të pavarura komunikimi dhe shkëmbimi të ideve.

Medium.com është një platformë e cila i lejon çdo individi të shprehë mendimet e tij në formë artikujsh. Ajo bën pjesë tek lloji i gazetarisë sociale ku gazetarët (qoftë amatorë, qoftë profesionistë) fitojnë të ardhura në bazë të pëlqyeshmërisë së artikujve të tyre nga abonentët me pagesë të faqes.

Faqja ka jehonë ndërkombëtare (pikërisht siç e thotë edhe emri) si një medium për të përhapur informacion edhe mendime pa u bërë pjesë e mediave kryesore dhe politikave editoriale të tyre. Madje, megjithëse shumica e autorëve janë amatorë, platforma ka arritur të tërheqë edhe figura me famë botërore si Paulo Coelho apo Barack Obama. Një nga risitë e platformës është fakti se të gjithë autorët, përfshi figurat publike, lejojnë akses pa pagesë në leximin e shumicës së artikujve dhe opinioneve respektive.

Në datë 18 prill 2020, një artikull i portalit InfoMedia Albania informon se si pasojë e një kërkese të këngëtarit dhe humoristit Ermal Mamaqi, AKEP ka udhëzuar ISP shqiptare të bllokojnë një sërë faqesh online me qëllim mbrojtjen nga pirateria të disa prodhimeve të Mamaqit (psh “Dy Gishtë mjaltë” dhe “I love Tropoja”).

Problemi qëndron se nuk janë bllokuar burimet direkte të dyshuar për pirateri, por i gjithë domain-i (pra platforma në tërësi) e faqeve të renditura aty! Vërtet, disa nga këto faqe funksionojnë enkas për të shpërndarë filma falas në mënyrë pirate,  dhe një bllokim vetëm për to nuk do të përbënte problem. Mirëpo, në atë listë ndeshim edhe në faqe ku shkeljet janë një pjesëz e papërfillshme e përmbajtjes së përgjithshme të tyre, dhe këtu spikat medium.com.

Për ta lehtësuar problemin (por pa ekzagjeruar), kjo është e barasvlefshme me mbylljen e plotë të Facebook, WhatsApp apo edhe linjave telefonike, sepse aty mund të hasim rrallëherë shkelje të të drejtave të autorit. Medium.com është censuruar (në intervale të ndryshme kohore, dhe duke përjashtuar Shqipërinë) vetëm në tre vende: Kinë, Egjipt dhe Malajzi. Në të tre rastet, arsyeja qe censurë nga ana e qeverisë mbi disa opinione opozitare në atë faqe.

aaa

E ritheksoj se në krahasim me shtetet e mësipërme, unë nuk jam i bindur se këtu fshihet domosdoshmërisht një qëllim për të censuruar median nga instancat qeveritare. Por mjerisht, ky nuk është rasti i parë dhe i vetëm ku është ndjekur një praktikë e tillë.

Në 19 mars, portali gjerman netzpolitik.org i kushtoi vëmendje faktit se në Shqipëri, një kompani po gjermane, Acromax Media ndërmori një fushatë për të mbyllur disa faqe dhe llogari online kritikuese të qeverisë duke abuzuar me ligjin për të drejtën e autorit.

Ky ligj, megjithëse shumë i vlefshëm, qartësisht po zbatohet pa kriter në Shqipëri. Edhe nëse do i jepnim organeve qeveritare përfitimin e dyshimit, pa i mëshuar hipotezës së censurës, do të vërenim një qasje të prapambetur të aplikimit të ligjeve ne botën e internetit.

Në SHBA, qeveria bashkëpunon me platformat për të bllokuar (madje edhe vënë përpara ligjit) rastet e piraterisë, po kurrsesi jo tërë platformën. Këtë rrugë duhet të ndjekë edhe AKEP.

Qytetarët duhet të jenë të përgjegjshëm në përdorimin e platformave të reja dhe të mbajnë përgjegjësi për shkeljet. Por edhe institucionet publike duhet të modernizojnë qasjen rregulluese ndaj platformave mediatike sepse bllokimi pa kriter i tyre dhe në mënyrë të tërësishme nuk ka si të jetë pjesë e kësaj qasje në kohën e sotme në një botë të lirë dhe demokratike.

Është detyra jonë si qytetarë të një vendi demokratik të ngremë zërin dhe të protestojmë kur shohim arbitraritet ose paaftësi nga ana e qeverisë. Bllokimi i mjeteve të informacionit të cilat kanë si qëllimi kryesorpërhapjen e mendimeve të pavarura nga media mainstream shqiptare, dhe aspak cënimin e të drejtës së autorit, duhet të shërbejë si kambanë alarmi për ne. Në rastin e medium.com, terrin informativ e kemi falë injorancës së AKEP. Ndoshta më vone do ta kemi falë arbitraritetit. Washington Post njihet për sloganin e saj: Demokracia vdes në errësirë! Le të bëhemi bashkë dhe t’i vëmë në dijeni instancat përkatëse për pakënaqësinë tonë, që të mos arrijmë deri në atë pikë.


Publikuar më parë tek Ekon.al.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>