Liria e medias është tregues për gjendjen e demokracisë dhe kusht i pazëvendësueshëm për respektimin e të drejtave të njeriut.
Kështu u shpreh Presidenti Ilir Meta, në një postim në Facebook. Ai thekson se është e papranueshme regresi që Shqipëri ka në raport me lirinë e medias.
Presidenti Meta pohon se “pasojat e paketës anti-kushtetuese të ligjeve “anti-shpifje”, si dhe krizat e njëpasnjëshme të tërmetit dhe COVID-19, po e thellojnë regresin”.
Sipas Presidentit, ndarja preferenciale e reklamave publike, financimet jotransparente të bizneseve private, kufizimet dhe presionet e drejtpërdrejta apo të tërthorta, janë bërë shkak që të kemi më pak gazeta se një vit më parë.
Në vitin 2019, Shqipëria u rendit në vend të 82, por për një vit ajo ka humbur dy vende duke u renditur në vendin e 84, për shkak të përkeqësimit të lirisë së medias dhe sulmeve ndaj gazetarëve. Vendi ka rënë 7 vende që prej vitit 2018, duke shënuar një përkeqësim serioz të lirisë së shtypit dhe të të drejtave të gazetarëve në një vend kandidat për anëtar në BE.